PDK: Klasat në shkolla mund të riorganizohen
PDK-ja në një konferencë për media ka shprehur shqetësimin nëse Kosova është e gatshme që të rikthejë mësimin në shkolla apo jo, megjithatë ka theksuar se kjo mund të bëhet përmes një riorganizimi të klasave.
“Mësimi online ishte domosdoshmëri, jo vetëm në Kosovë por kudo në botë kur u vendos për mbyllje totale apo karantinim në fillet e pandemisë, por sot kur jemi në një moment tjetër të sfidave të hapjes që shkaktuan natyrshëm edhe rritje të të infektuarve me COVID 19, prindërit por edhe qeveritë e shumë vendeve përkundër kësaj, po apelojnë për hapjen e shkollave dhe kthimin e fëmijëve në kushte normaliteti për shkak të shumë pasojave psikologjike, ngecjeve në zhvillim të fëmijëve dhe realizim të kurrikulës, e poashtu edhe në pabarazinë e madhe gjinore dhe etnike, që mësimi online e shpërfaqi kudo në botë, përfshi këtu edhe Kosovën”, ka thënë Eliza Hoxha, deputete e PDK-së.
Hoxha ka shtuar se sipas hulumtimeve dhe së fundi edhe raportimit të ministrit Likaj para Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rini e Sport, mbi 10% e nxënësve kosovarë nuk kanë pasur fare çasje në mësimin online.
“Poashtu kategoritë e tjera sociale dhe ato me fëmijë me nevoja të veçanta kanë pasur problematika të tjera gjatë kësaj periudhe, për shkak të specifikave në të nxënit dhe punës me ta, si dhe mungesës së pajisjeve. Kur jemi të kategoritë e tjera etnike në Kosovë p.sh komuniteti RAE, poashtu kishte probleme gjatë kësaj periudhe – shifra arrin deri në 40% të tyre që nuk kanë pasur çasje në mësimin online”, ka thënë ajo.
Një tjetër problem, sipas Hoxhës, ka qenë shuma e madhe e platformave të komunikimit dhe nxënies që i ka lodhur edhe fëmijët edhe prindërit, e që njëkohësisht ka shpërfaqur problematikën e digjitalizimit të sistemit arsimor në Kosovë që kinse kishte nisur kohë më parë si agjendë prioritare.
Arsyet kryesore që ajo përmend janë:
· Mungesa e çasjes në internet
· Mungesa e pajisjeve teknologjike
· Mungesa e një tutori në familjet ku prindërit nuk janë të shkolluar – sidomos te grupet minoritare
· Mungesa e një tutori për fëmijët me nevoja të veçanta ku edhe prindërit janë me nevoja të veçanta
“Andaj, jo rastësisht, nga shumë studime thuhet se mësimi online apo në shtëpi në situata izolimi, ka shpërfaqur dhe njëkohësisht ka thelluar pabarazinë shoqërore. PDK duke analizuar politikat, strategjitë dhe çasjet e vendeve të ndryshme të cilat po mobilizohen dhe përgatiten për rikthim në institucione, si dhe po ndërmarrin masa që konform situatës së sigurisë shëndetësore, nivelit të rrezikut dhe kapaciteteve (infrastrukturore dhe të resurseve njerëzore)”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka shtuar se UNICEF, Banka Botërore dhe organizata të tjera ndërkombëtare e vendore, së bashku me qeveritë e vendeve të ndryshme dhe shkollat, po punojnë jo vetëm në rihapjen e shkollave, por në rihapjen e shkollave me kushte më të mira higjienike dhe organizative si një mjedis që do të garantojë mundësi të re për mësimin e drejtpërdrejt.
Poashtu, sipas saj, masat si verifikimi i temperaturës, stacionet e larjes së duarve dhe dezinfektimit, mbajtja e maskës dhe distanca fizike do të jenë pjesë e jetës së përditshme në këto institucione.
“Me një fjalë, pandemia ka shpërfaqur nevojën për norma të reja teknike hapësinore në institucionet publike. Kësaj i shtohet më pas edhe shenjëzimi dhe rekuizitat e tjera, të cilat me patjetër do të jenë pjesë e paletës së dizajnit të shkollave nëse mësimi do të mbahet në mjediset e saj. PDK ngrit shqetësimin se a është Kosova gati për rikthim në shkolla sepse deri më sot nuk e kemi parë ndonjë plan konkret nga qeveria për fillimin e mësimit nëpër shkolla, as ide për riorganizim hapësinor të shkollave, shenjëzim apo edhe kushte higjienike, duke e ditur se shkollat tona edhe në kushte normale aspektin higjienik e kanë problematik”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha thotë se skenare të shumta janë elaboruar nga praktikat ndërkombëtare si rikthimi total – sidomos për klasët e ulëta ku më problematikja mbetet klasa e parë), rikthimi i kombinuar – disa orë në shkollë e disa në shtëpi apo skenari i tretë – mësimi online
Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit duhet që shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve ta vendosin në qendër të planeve rikuperuese nga COVID dhe me këtë ekspertë të fushave të ndryshme të përfshihen për të punuar së bashku për fëmijët.
PDK thekson se mësimi online në kushte të izolimit total edhe e kishte kuptimin e vet pavarësisht cilësisë dhe problematikave që ka lënë pas.
“Por tani që shumica e aktiviteteve janë të hapura, prindërit duhet të punojnë jo vetëm për shkak të obligimeve por edhe për shkak të rëndesës ekonomike të shkaktuar nga paaftësia e qeverisë Kurti dhe Hoti, të cilat dështuan rëndë në përkrahjen ekonomike të qytetarëve tash e 6 muaj andaj është absurde që ministri i Arsimit t’i kërkojë secilës familje që njëri prind të qëndrojë në shtëpi për shkak të mësimit online sepse fëmijët e vegjël e kanë të pamundur të jenë pjesë e tij pa mbikëqyrjen e prindit duke qenë se barra me e madhe i bie atyre”, ka shtuar Hoxha. “PDK-ja thekson se klasat mund të riorganizohen, e në raste kur nuk ka mundësi për ta bërë një gjë të tillë klasa mund të ndahet në dy grupe dhe mësimi të mbahet me orar të shkurtuar për të dy grupet e një klase”.
Sipas sa shenjëzimi dhe pajisjet higjienike shtesë janë të domosdoshme e hapësirave publike tashme dhe këto shërbime siç e dimë zakonisht tenderohen në bazë të ligjit të prokurimit dhe marrin kohën e vet. A ka kohë mjaftueshëm për këto procese deri me 1 Shtator?
“Që nga Qershori kjo qeveri ka pasur kohë të mendojë se pandemia është ende këtu por rrethanat e funksionimit tonë shoqëror dhe hapësinor kanë ndryshuar pas hapjes dhe është dashur që përtej fazës adaptive gjatë periudhës së izolimit tani ishte dashur të kalojmë në fazën e rikuperimit dhe bashkëjetesës me pandeminë”, ka thënë Hoxha.
Lidhur me gjithë këto PDK ka disa pyetje dhe brenga:
· Çfarë do të ndodhë më 12% të nxënëse që nuk kanë pasur fare çasje në arsim gjysmëvjetorin e kaluar?
· Çfarë do të ndodhë me 40 % te komuniteti RAE që nuk ka patur çasje në mësim?
· Çfarë do të ndodhë më fëmijët me nevoja të veçanta?
· Pandemia i ka rënduar fëmijët edhe gjatë kohës së izolimi – si do ta rikuperojmë aspektin e tyre emocional e psikologjik ?
·A do të ketë një pakt digjital ku librat dhe fletoret e punës janë të digjitalizuara dhe mësimi për fëmijët të bëhet më joshës, duke qenë se ata me teknologjitë e reja të komunikimit nisin shumë herët e ato përjashtohen kur vie puna te arsimimi?
“PDK është e shqetësuar thellësisht dhe e vetëdijshme për situatën aktuale, mirëpo qeveria e Republikës së Kosovës ka përgjegjësi ta menaxhojë pandeminë dhe njëkohësisht të sigurojë kushte dhe mundësi për rikthim të fëmijëve në shkollë. Humbja e betejës së arsimit në raport me COVID 19 do të jetë humbja më e madhe për shtetin e Kosovës, sepse pasojat do të barten me gjenerata me radhë”, thotë ajo./k.net