PDK nuk e voton Qeverinë e re, Totaj për Hotin: Produkt i një marrëveshje të dështuar VV-LDK
Ai përsëriti qëndrimin e PDK-së se as nuk do ta votojë për Kryeministër, të nominuarin e LDK-së për mandatar, Avdullah Hotin, njofton Klan Kosova.
”Pozicioni i PDK-së është i qartë, i bërë publik tashmë nga Kryetari Kadri Veseli”.
”Ne nuk kemi qenë pjesë e mocionit për ta rrëzuar Qeverinë, nuk do të jemi as pjesë e Qeverisë dhe kemi deklaruar se as nuk do ta votojmë një Qeveri të tillë”.
”Ndërsa do të presim të shohim si do të zhvillohen procedurat e mëtutjeshme dhe varësisht prej zhvillimeve ne do ta japim pozicionin tonë. Duam të japim një mesazh që PDK e ka një identitet në veti: Nuk do të jemi pjesë e Qeverisë se ardhshme dhe as nuk do ta votojë”.
A është Avdullah Hoti njeriu që mund t’i çojë përpara proceset e Kosovës siç është dialogu me Serbinë?
”Ai është i nominuar i LDK-së dhe nëse e mendojnë ashtu mbetet përgjegjësia e tyre dhe obligimi i tyre që të japin kontributin në këtë çështje. Ne nuk do të paragjykojmë apo s’do të japim ndonjë vlerësim për perfomancën të cilën pritet ta shohim”.
Shaqir Totaj ka deklaruar që si profil politik ndaj Avdullah Hotit nuk pret ndonjë performancë meqë thekson që është rezultat i një marrëveshjeje të dështuar që pasoi nga VV e LDK, njofton Klan Kosova.
”Nuk pres performancë superiore, sepse ky është produkt i një marrëveshje të dështuar ne kemi parë një marrëveshje e cila mezi është arritur mes VV-se e LDK-së”.
”Tani po shohim që partia e dytë që ka qenë formues i atij koalicioni do të nominojë një kandidat tjetër. E unë nuk shoh aty ndonjë performancë spektakulare nga e cila mund të presim”.
Si PDK në opozitë Totaj në Info Magazine deklaroi se nuk do ta bllokojnë Qeverinë e re në proceset e rëndësishme për Kosovën.
”Ne do të jemi opozitë konstruktive, në çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me tema të mëdha, ne nuk do të jemi bllokues të proceseve”.
”Do të jemi opozitë konstruktive, do ta luajmë rolin tonë në mënyrë konstruktive – jo duke kritikuar por duke dhënë zgjidhje për temat që janë me interes publik me qytetarët e Kosovës”.
”Në asnjë mënyrë nuk do të bllokojmë çështjet që janë me interes nacional, sidomos atë të dialogut e të tjerat në relacione ndërkombëtare, për çka si shtet dhe si popull, ne kemi interes”.
Ai komentoi edhe thirrjen për protestë për qytetarët në kohën e pandemisë kur dhe Qeveria dha masa për kufizim të lëvizjes.
”Kjo çështje është shumë e ndjeshme, jemi duke e analizuar në Kryesi të PDK-së, dhe nesër do të dalim me komunikatë për të dhënë mendimin tonë rreth këtyre çështjeve”.
”Ne mendojmë që thirrja për protestë në kohë të pandemisë, thirrja e një numri të madh të njerëzve është në kundërshtim me masat që ka marrë kjo Qeveri e cila tani më është në ikje e sipër. Kemi një veprim kontradiktor”.
Sa i përket largimit të rrethojave nga oborri i objektit të Qeverisë së Kosovës, Totaj shton se PDK nesër do të dal me një informacion publik.