20-04-2024

PDK: Qeverisja e VV-së në Prizren dështoi përsëri të kualifikohet për grantin e performancës komunale

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, e konsideron zhgënjyes dhe të papranueshëm mos kualifikimin e Prizrenit, për të qenë përfitues të grantit të performancës komunale.

Në raportin e rivlerësimit të performancës për grantin e performancës komunale për vitin fiskal 2021, të publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shkruan se “Komuna e Prizrenit nuk është kualifikuar për grantin e performancës komunale për vitin 2021”.

“Komuna e Prizrenit, në vazhdën e dështimeve, dështon përsëri. Dështon të përmbushë kriteret për të qenë në konkurrencë për të përfituar grantin e performancës komunale”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas kësaj partie, Komuna e Prizrenit ka dështuar të plotësoj kushtin minimal numër 2 (Komunat duhet të kenë respektuar obligimet ligjore për t’i rishikuar aktet komunale të vlerësuara si të kundërligjshme nga organet mbikqyrëse) dhe kushtin minimal numër 4 (Shkalla e shpenzimeve të buxhetit për investime kapitale për vitin 2019 duhet të ishte së paku 75%).

“Nga 29 indikatorët vlerësues, Komuna e Prizrenit ka arritur të ketë 40 pikë nga gjithsej 96 pikë të mundshme, as gjysmën e pikëve totale. Qeverisje e turpit në Prizren është vazhdimisht duke dëshmuar me autogola se ata nuk e kanë merituar fitoren para 4 viteve. Janë të paaftë, nuk janë kompetent për të shtyrë projektet para, nuk kanë kuadro dhe mbi të gjitha nuk kanë dëshirë, vullnet politik dhe as guxim të qeverisin me Prizrenin”, thotë dega e PDK-së në Prizren.

Asnjë koment

Comments are closed.