Në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës, pushteti komunal i Prizrenit po tronditet nga një valë skandalesh që kanë goditur rëndë qeverisjen e Shaqir Totajt dhe mund të krijojnë një moment të rrallë për opozitën, deritash pothuajse të fjetur.
Arrestimet e fundit dhe hetime në Urbanizëm
Së fundi në qendër të akuzave e kritikave janë zyrtarë të urbanizimit e kulturës. Njëra nga zyrtaret e rëndësishme te Urbanizmit, Shpresa Osmanollaj u arrestua dje për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ajo është gjithashtu nën hetim për lëshimin e një leje ndërtimore për kompleksin “Albanica Home”, në lagjen “Bazhdarhane” ku dyshohet se lejoi ndërtimin e dy kateve mbi kufirin e lejuar, sipas “Betimit për Drejtësi” duke i sjellë përfitime milionësh, vëllait të shefit të kabinetit të Totajt.
Një nga skandalet më të bujshme është ai i ndërtimit të një objekti në Landovicë, i cili ishte pajisur me leje ndërtimore për “fermë për kalërim”, por që në realitet u shndërrua në një motel, ndërsa inspektorët komunalë nuk kishin ndërmarrë masa të duhura për të ndaluar punimet dhe për të rrënuar objektin e ndërtuar pa leje.
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, një muaj më parë ngriti aktakuzë për korrupsion ndaj shtatë zyrtarëve dhe një personi përgjegjës të një kompanie në Prizren. Të pandehurit Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., dhe B.J., ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, derisa D.N., për keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik.
Përplasje brenda kabinetit të Totajt
Situata politike është tensionuar edhe më shumë nga përplasjet e brendshme në kabinetin e kryetarit Shaqir Totaj, përkatësisht incidentit të raportuar fizik mes shefit të kabinetit, Nehat Elshani, dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, ka nxjerrë në pah përçarjet e thella dhe mungesën e koordinimit në qeverisje.
Subvencione për OJQ-të afër pushtetit
Skandalet me ndarjen e subvencioneve për OJQ-të e lidhura me pushtetin kanë thelluar dyshimet për korrupsion të institucionalizuar. Më i përfoluri është rasti i OJQ-së “Tour Art”, e drejtuar nga Drita Sallauka – bashkëshortja e fotografit të kryetarit Totaj, që përfitoi 35 mijë euro nga buxheti komunal. Sipas burimeve opozitare, këto fonde po jepen përmes procedurave të paqarta, shpesh për OJQ jofunksionale apo individë të lidhur me pushtetin, përfitime te lidhura me procesin e votave në vjeshtë!
Premtime të pambajtura dhe pakënaqësi qytetare
Qytetarët shprehin gjithnjë e më shumë pakënaqësi për mosrealizimin e projekteve të mëdha të premtuara: zona ekonomike, parkingu nëntokësor dhe nënkalimi. Shtohen edhe kritikat për dështimet te theksuara në sektorin e arsimit, ndërsa në rastin e shujtave te mësimdhënësve në vitin e fundit të qeverisjes, Totaj përmes “trikës” provoi t’u shes mjegull mësimdhënësve se do ta ndërpres praktikën e ankimimit gjatë aplikimit për të drejtat e tyre në gjykatë, që vononin me vite përfitimet e merituara financiare të mësuesve.
Reagimi i zbehtë i opozitës
Pavarësisht krizës në administratën aktuale, reagimi i opozitës ka qenë i zbehtë. Përveç deklaratave në rrjetet sociale dhe aksioneve të para dy viteve të LDK-së, si ajo kundër mënyrës së punësimeve të Totajt si “Shaqa FARM” para “Shtëpisë së Bardhë”, ku ndodhet selia e Kryetarit, diçka konkrete nuk ka pasur. Tashmë, partia kryesore opozitare – Vetëvendosje pothuajse e ka të konfirmuar kandidatin për kryetar komune, Artan Abrashin, i cili vite më parë ishte pjesë e protestave para “Shtëpisë së Bardhë”.
Me një fjalë a po mungon një strategji e qartë dhe e organizuar për të mobilizuar qytetarët dhe për të ofruar një alternativë, kundrejt pushtetit me skandale. Për me keq në Prizren, shumë zëra flasin për qeverisje të dobët të Totajt, të cilin opozita e ka vlerësuar si “kryetar kukull”, por ku mungon sfidimi konkret permes veprimeve opozitare në terren.
A do ta shënojë opozita këtë “penallti”?
Në një moment kur qeverisja lokale ka humbur besueshmërinë dhe kritikat janë në kulm, opozita ka një mundësi të rrallë për ta kthyer këtë situatë në avantazh politik. Por mbetet për t’u parë nëse do ta shfrytëzojë këtë “penallti” – apo do të vetëkënaqet me postime reaguese individuale e ndonjë komunikatë në rrjete sociale, çfarë i konvenon pushtetit aktual?!
/ Gazeta e Prizrenit /
Lexo edhe:
Ja për çka dyshohet zyrtarja e arrestuar e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Shpresa Osmanollaj