19-04-2024

Pengmarrja e banorëve të Kushninit e Kabashit në Has nga Ushtria jugosllave, më 1998

Shkruan: Qazim Morina

Pas ofensivave ndaj zonave në të cilat patrullonin njësitet e UÇK-së, Ushtria jugosllave, më 19 shtator ndërmori një aksion kontrolli ndaj fshatrave kufitare me Shqipërinë, në rajonin e Hasit të Prizrenit.

Sipas deklaratave të eprorëve serbë, kjo bëhej me qëllim të kontrollit për armë, pasi mali i Pashtrikut dhe disa fshatra të Hasit, shfrytëzoheshin si rrugë për kalimin në Kosovë të pjesëtarëve të UÇK-së dhe furnizimin e tyre me armatim.

Tashmë një numër i djemve të kësaj zone, përfshirë edhe shumë sosh nga pjesa e Hasit të Shqipërisë ishin bashkuar me çlirimtarët e Kosovës, ku disa udhëhiqnin ata gjatë kalimit ilegal të kufirit shqiptaro-shqiptar, kontrollimi i  të cilit sidomos pas fillimit të luftës, vazhdimisht shkonte duke u përforcuar nga mbikëqyrja serbe.

Policia serbe fillimisht i kushtëzoi fshatrat me dorëzimin e armëve, për ta shmangur aksionin për arrestimin e banorëve dhe djegien e fshatit. Paraditen e 19 shtatorit 1998, në fshatin Kushnin mbërritën disa automjete ushtarako-policore, përfshirë edhe tanke.

Pas betejës në Prekaz, ku ra heroikisht Komandanti legjendar Adem Jashari, në mars 1998, nuk ishin parë forca të këtilla. Lëvizja e tyre tashmë kishte përshkruar fshatrat e rrafshit të Hasit të Prizrenit, në rrugën nga Gjonaj deri në Kushnin, fshat ky i fundit i këtij rajoni në komunën e Prizrenit, rreth 30 kilometra nga qyteti.

Kjo taktikë serbe kishte për qëllim jo vetëm kontrollin për armë, por edhe bastisjen nëpër shtëpitë e shqiptarëve, për të plaçkitur e njohur terrenin në këtë pjesë etnikisht të pastër. Kjo bëhej po ashtu edhe për ta shtuar presionin, frikën dhe pasigurinë tek popullata për refuzimin e UÇK-së.
Lëvizja me shpejtësi të çmendur nëpër rrugën atëherë të pashtruar me asfalt, qendrës së fshatit, ishte një sinjal për dhunën që pritej të ndodhte. Nëpër Kushnin kalon rruga që shkon në kufi, në rajonin e postës ushtarake jugosllave, numër 4 në Pashtrik.

Përmes përfaqësuesve të fshatit, banorët u paralajmëruan të mblidhen urgjentisht në qendër të fshatit, në “Kodra”.

Derisa fshati ishte alarmuar, forcat serbe po shpërndaheshin duke zënë pozicionet kyçe, madje edhe në rrugën nën Gurin e Pisë, (kodra më e lartë mbi fshat) në malin me shkurre,  ku shiheshin si në pëllëmbë të dorës fshatrat Kushnin e Kabash.

Më të moshuarit, të cilët dolën fillimisht në qendër të fshatit u urdhëruan që të dilnin të gjithë banorët, duke lënë hapur dyert e dhomave të shtëpive.  Në të kundërtën, atyre u ishte tërhequr vërejtja se nuk kishte garanci jete për asnjë, që gjendej nëpër shtëpi gjatë kontrollit.

Me të parë situatën serioze, disa të rinj përmes rrugëve më të padukshme arritën të dalin në malin e afërt, mbi pikat vëzhguese të ushtrisë, prej nga përcillnin se çfarë po ndodhte në fshat.

Vazhdon nesër:

Mbyllja e banorëve në disa dhoma, bastisjet dhe djegia e shtëpive 

Asnjë koment

Comments are closed.