Për çka i inkurajon qytetarët, kryetari Haskuka?
Qytetarët e Prizrenit janë inkurajuar t’i raportojnë rastet ndaj shkelësve të ligjit, për ta mbrojtur pronën publike dhe mjedisin.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka nëpërmjet “facebook-ut” ka treguar rastin, kur ditë më parë, banorët e një fshati u ankuan për deponi ilegale, se si traktorë e kamionë vijnë dhe shkarkojnë materiale. “Iu propozova që të raportojnë në polici, apo të thërrasin në Qendrën e Thirrjeve të Komunës së Prizrenit, por disa më thanë se kanë frikë të raportojnë se mos po iu hakmerren”, ka thënë ai.
Haskuka ka treguar se raportimi mund të bëhet në mënyrë anonime. “Neve na duhet vetëm fotografia me numrin e regjistrimit të automjetit, për të konstatuar se kush e shkel ligjin dhe të fillojmë me procedura”.
Ai ka mbështetur qytetarët, për paraqitjen e rasteve, në linjën e hapur telefonike të Komunës, duke vlerësuar se duhet bashkëpunim për ta mbrojtur kësisoj natyrën dhe pronën publike.
Një ditë më parë është njoftuar për largimin e deponisë ilegale që ekzistonte një kohë të gjatë në rrugën për tek fshati Leskovec.
Sipas zyrtarëve, numri i deponive ilegale në Prizren mendohet të jetë i madh, derisa janë paralajmëruar aksione për pastrimin e tyre.
Qytetarët që kanë njohuri për vendndodhjen e deponive të ndryshme ilegale apo edhe parregullsitë tjera, luten të njoftojnë nëpërmjet Qendrës së Thirrjeve, në numrin pa pagesë 0800 19 200.