Brenda dy ditësh në vendin tonë kanë vdekur gjashtë persona nga koronavirusi, përderisa mbrëmë u konfirmuan edhe 62 raste të reja Covid-19.
Raporti i fundit i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar se mbrëmë në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë pacienti J.N. 1963 nga komuna e Prizrenit, si dhe sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë pacienti R. B. 1942 nga komuna e Prizrenit, të cilët përveç infeksionit me Covid -19 kishin edhe sëmundje shoqëruese.
E mëngjesin e sotëm ka vdekur pacienti me inicialet D.N, viti i lindjes 1949 nga Suhareka, i cili ishte pranuar në Njesinë Intensive në objektin e Mjekesisë me datën 23.06.2020, si transfer nga Klinika Infektive, i konfirmuar me strisho pozitive për COVID-19.
Po ashtu dje ka vdekur pacienti me inicialet H.K, viti i lindjes 1959 nga Prizreni, i konfirmuar me strisho pozitive për COVID-19. Pacientja H.B. 1958 nga komuna e Prizrenit si dhe pacienti A.M. 1964 nga komuna e Rahovecit, të cilët veç infeksionit me Covid-19 kishin edhe sëmundje shoqëruese.
Bazuar në raportin e datës 27.06.2020, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë të hospitalizuar 97 raste Covid -19 pozitiv.
45 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.
“Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë “, njofton raporti i sotëm i SHSKUK-së.
Aktualisht numri i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë ka shkruar në 2,494 raste, kemi 1,307 persona të shëruar, 1,143 raste aktive dhe 47 të vdekur.