Për katër ditë, mbi 400 vetura në veri pajisen me targa ‘RKS’
Në Qendrat për Regjistrim të Automjeteve në veri të Kosovës u punua edhe të shtunën. Kjo pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme që qytetarëve serbë t`u jepet më shumë kohë për konvertim të targave të automjeteve nga ato ilegale në të ligjshmet RKS. Afati i fundit i zgjatur nga Qeveria e Kosovës është 1 dhjetori.
Pas kësaj date, veturat me targat e regjimit të Milosheviqit do të ndalohen të qarkullojnë në rrugët e republikës. Nga e mërkura, më 1 nëntor deri në mbrëmjen e sotme, 414 vetura në veri të Kosovës janë regjistruar me targa RKS, shkruan RTK.
Ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, e shtuna ishte ditë pune në Qendrat për Regjistrim të Automjeteve në veri të Kosovës.
“Pas vendimit të fundit për vazhdim të afatit për konvertim të targave nga ato ilegale në RKS, të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve janë të hapura dhe po punojnë edhe të shtunën.
Ishte Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës që ka lejuar këto qendra të punojnë edhe këtë ditë fundjave. Njëkohësisht, është zgjatur edhe afati që u mundon serbëve të Kosovës, konvertimin e targave të automjeteve nga ato ilegale në këto të ligjshmet-RKS. E qytetarët serbë e mirëpresin këtë vendim.
“Erdha për targa. Ka pasë mundësi edhe me herët por kurrë nuk është vonë”, thotë një qytetar serb.