18-04-2024

Përçahet Vetëvendosje në Prizren, kuvendari Haxhillari i reagon kryetarit Haskuka -“Turp të qoftë”  (VIDEO)

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit janë zyrtarizuar përçarjet e përfolura brenda Vetëvendosjes në këtë qytet, përkatësisht ato në mes të kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka, që vjen nga VV dhe të asambleistëve të këtij subjekti në organin komunal, raporton Gazeta e Prizrenit.

Në këtë kontekst, anëtari i KK-së nga Vetëvendosje, Karafil Haxhillari në foltoren e këtij organi ka deklaruar se Haskuka ka përbuzur vazhdimisht kuvendarët e subjektit të tij, sikur ka bërë edhe në një reagim publik në “facebook”, duke thënë se “për këtë duhet t’i vijë turp”.

Kjo ka ndodhur pasi KK, sot nuk miratoi propozim – vendimin për marrjen e huas – kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), nga komuna e Prizrenit.

Më pas Haskuka që po qëndron në vetizolim shkaku i Covid-19, në një reagim , ndër të tjera ka fajësuar edhe bashkëpartiakët e tij, derisa ka shkruar se ja që niveli i këtyre asamblistëve është aq sa për të mohuar çdo projekt të dobishëm për Prizrenin.

“Mjerimi nuk ka kufi, për inate politike mohojnë rregullimin e 100 shkollave, qendrave të mjekësisë familjare dhe ndërtesave publike për qytetarët e Komunës së Prizrenit. Është për keqardhje që jo për herë të parë edhe disa asamblistë të Vetëvendosjes! koordinohen me këta të PDK-së, LDKsë, NISMAs dhe AAKsë, për sabotimin e projekteve qeveritare”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, bashkëpartiaku i tij, Haxhillari, tha se reagon ndaj postimit të Haskukës, duke e quajtur atë si të papranueshëm për grupin e VV-së, meqenëse sipas tij, deklarata është komplet jashtë logjikës.

“Kryetar, kuvendarët e VV-së që tri vjet e gjysmë i kanë votuar të gjitha pikat, megjithëse asnjëherë nuk je konsultuar për asgjë me ta. Për këtë akuzë të sotme Turp të qoftë”, tha ai, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Sa i përket mungesës së numrave në Kuvend, Haxhillari tha se Haskukës nuk ia  kanë fajin as kuvendarët e VV-së e as Vetëvendosje, por vetë ai, meqenëse nuk kishte bërë konsultime paraprake, duke përbuzur ata.

“Thonë: Sulmi është mbrojtja më e mirë. Kryetar, hidhi ndonjëherë sytë edhe nga ekzekutivi pasi shumë pika as kuvendarët e koalicionit tënd nuk i kanë votuar, ndonëse ata gëzojnë shumë privilegje me këta drejtorë. Kjo akuzë padyshim që do të trajtohet edhe në organet e partisë VV, por me padurim po presim të shërohesh nga Covid-i”, tha në fund Haxhillari. /GazetaePrizrenit.net /

Shikoni videon

Postimi i Haskukes:

Asnjë koment

Comments are closed.