21-11-2024

Përfundon “Muaji i Mjaltit” për Suharekën, Llapi ia shkakton humbjen

Si rrallë herë, një xhiro e Superligës së Kosovës nisë të premten.

“Sefte” për javën e shtatë në elitën e futbollit kosovar ia bën Llapi e Suhareka.

“Zahir Pajaziti” qe vendi ku këto dy skuadra ‘luftuan’ më njëra-tjetërën për pak më shumë se 90 minuta.

“Betejën” e fitoi Llapi me shifrat prej 3-0, duke ia përfunduar “Muajin e Mjaltit” Suharekës, e cila nuk dinte për humbje në pesë ndeshjet e para në Superligë.

Golin e epërsisë për llapjanët e shënoi Blendi Baftiu në pjesën e parë përmes një penalltie, e cila u përsërit.

Blendi Baftiu fillimisht dështoi nga pika e bardhë, por penalltia u përsërit pasi portieri i Suharekës doli para kohe nga porta.

Kështu edhe përfundoi 45-minutëshi i parë, derisa në të dytin u shënua edhe një gol tjetër nga skuadra e Llapit.

Kësaj here ishte Ahmed Januzi, i cili po kalon në një formë të jashtëzakonshme në këtë fillim sezoni në elitë.

Januzi shënoi në minutën e 51-të, për golin e tij të pestë në shtatë ndeshje.

Për 3-0 në minutat e fundit të ndeshjes realizoi Arbnor Ramadani.

Me këtë rezultat përfundoi ndeshja, me Llapin që arkëtoi pikët e radhës, të cilat tashmë e renditin skuadrën e Tahir Batatinës në vendin e dytë me 13 pikë, aq sa ka edhe Suhareka në vendin e tretë (shkaku i ndeshjeve direkte bie një pozitë më poshtë).

Me po aq pikë në vendin e parë është Malisheva, por që qëndron më mirë se Llapi, përsëri shkaku i ndeshjeve direkte./GazetaExpress/

Asnjë koment

Comments are closed.