26-04-2024

Përkujtohen heronjtë Toni e Mici

Me rastin e 23-vjetorit të rënies së heronjve dhe dëshmorëve të kombit Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici Hamdi Hajrizi, Nezir Ymeri e Bektesh Haliti, në fshatin Apterushë të Rahovecit janë bërë homazhe. Me këtë rast u përurua edhe Kulla Muze që mban në vete vlera kulturore dhe historike të popullit shqiptar.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se Toni ishte ndër të parët që bëri organizimin e luftës në këtë zonë, andaj si i tillë e kishte edhe besimin e plotë të tij si komandant dhe të bashkëluftëtarëve.

“Xhelal Hajda është një nga nismëtarët e luftës për liri, në Dukagjin. Është njëri ndër të parët që ka bërë organizimin ushtarak, pra mobilizimin e njësive, mobilizimin e pozicioneve të vijave të luftës, pra fortifikimin e parë në Gllogjan ose rreth Gllogjanit. Ai për një kohë shumë të shkurtë e ka fituar besimin e të gjithë bashkëluftëtarëve që kishte ardhë me ta, vërtet i jepnin respektin e duhur për shkak të njohjes së luftës. Po ashtu e ka fitua besimin tim dhe bashkë ushtarëve rreth meje dhe ai ka mbajt përgjegjësinë e shefit të shtabit të UÇK së për zonën operative të Dukagjinit. Ky ka qenë pozicioni i tij në zonën operative të Dukagjinit”, ka thënë ai.

Kurse kryetari Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se këta burra të mëdhenj kanë bërë lidhjen e dy qyteteve, andaj Vushtrria dhe Rahoveci do të kujtojnë përherë heronjtë.

“Këta burra të mëdhenj, luftëtarë të lirisë, me sakrificën e tyre me shoqërinë e tyre e me rënien e tyre heroike e kanë bërë lidhjen në mes dy qyteteve tona edhe më të veçantë. E vërtetë është që Vushtrria dhe Rahoveci kanë lidhje shekullore edhe në mes të njerëzve të besimeve të njëjta. Fizikisht nuk jemi të lidhur në aspektin gjeografik, por më 6 nëntor 1998 Toni, Mici Hamdiu, Bekteshi, Neziri e bën të përjetshme lidhjen mes dy qyteteve tona. Andaj gjithmonë Vushtrria dhe Rahoveci do të kujtojnë këta heronj, këta trima e kujtimin më të mirë për ta do të na japin Kujtimi e Luli si dy bashkëluftëtarë që mbijetuan atë ditë”, shton ai.

Kurse kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se është obligim qytetarë kujdesi ndaj heronjve dhe dëshmorëve të rënë për liri.

Ai më tutje tha se ngritja e monumenteve, dëshmon për ndjenjën tonë të përgjegjësisë para historisë dhe brezave që vijnë.

“Këto investime kanë të bëjnë me ndjenjën kombëtare që është e ligjshme, që duhet ta karakterizojë çdo qytetarë të ndershëm të këtij vendi. Dashurinë për atdheun dhe lirinë që mbollën e që e ujiten me gjakun e tyre të parët tanë na obligon ta ruajmë dhe kujdesemi për këtë trashëgimi atdhetare. Është obligim i yni që të kujdesemi për përmasimin e jetës së qytetarëve tanë, sepse ata meritojnë të jetojnë më mirë për faktin se ata që luftuan dhe ranë për lirinë e këtij vendi, njëkohësisht kemi obligim edhe ndaj historisë që të bëjmë investime në simbole të kujtesës sonë kolektive”, shton Latifi.

I biri i Selajdin Mullabazit, Ermali, duke përkujtuar heroizmin e dëshmorëve, tha se është obligim trasimi i rrugës së tyre.

“Kujtimi për dëshmorët është detyrë e shenjtë për ne, por nderimi më i madh është ecja në rrugën e idealit të tyre, sepse më meritorët që ne sot jemi të lirë janë pikërisht ata. Ndjehem mirë që pikërisht në këtë vend është ndërtuar kjo kullë”, ka thënë ai.

Me këtë rast janë vënë kurora lulesh në vendin e rënies tek udhëkryqi mbi fshatin Apterushë të Rahovecit. /rtk

 

Asnjë koment

Comments are closed.