Përleshje për tokë në Rogovë, tre anëtarë të familjes Shala në pranga të Policisë
Konflikti për një pronë në fshatin Rogovë të Gjakovës, ka çuar në përleshje fizike mes bashkëfshatarëve, tre prej të cilëve nga familja Shala dyshohet se sulmuan dy të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti ka ndodhur të martën, në orët e mbrëmjes, kur palët e përfshira fillimisht patën një zënkë për shkak të mosmarrëveshjeve për katër metra tokë.
Siç mëson Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, viktimat kanë kërkuar nga të dyshuarit t’ua lirojnë një pjesë të pronës, pasi të njëjtën tokë e shfrytëzojnë dy palët. Pasi ata kanë refuzuar, aty ka plasur sherri.
Konflikti mes tyre nuk u zgjidh pa intervenuar Policia, që u njoftua për rastin pas denoncimit të dy viktimave.
Burimet thonë se tre të dyshuarit nga familja Shala janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.