Përplasje fizike në Kuvendin e Shqipërisë: Noka sulmon Ballën, e godet me shishe me ujë
Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë ishte shoqëruar me përplasje të forta mes deputetëve të opozitës dhe kolegëve të mazhorancës. Përplasjet u agravuan në përplasje fizike, çka solli ndërprerjen e seancës dhe përjashtimin e deputetit demokrat Flamur Noka.
Ishte ky i fundit që u sul drejt ministrit socialist Taulant Balla dhe tentoi ta godiste. Teksa Balla mori fjalën për të replikuar me kryeministrin Berisha, Noka u drejtua drejt foltores, ku goditi ministrin socialist me një shishe uji.
U desh ndërhyrja e Gardës për të normalizuar situatën.
“Ndërpritet seanca dhe jeni të përjashtuar”, tha Spiropali, teksa më herët kishte njoftuar përjashtimin e Flamur Nokës gjatë një incidenti tjetër.
“Merreni këtë, se është i çmendur. Sali, merreni paketoje këtë. Punë të mbarë Sali në opozitë”, u shpreh Balla, ndërsa Garda rrethonte Nokën.
Një incident tjetër ndodhi më herët në seancë, kur deputeti i PD-së Petrit Doda hoqi rripin e pantallonave dhe tentoi të godiste Ballën, raporton Euronews.al.
Tensionet në seancë u rritën pas debateve për arrestimin e Veliajt. Kryedemokrati Berisha kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, por akuzoi gjithashtu ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, se kishte marrë 500 mijë euro nga “çunat e Londrës”.
“Në qoftë se ju merrni të vërtetat për fyerje, ky është problemi juaj, por unë i kam deklaruar dhe i deklaroj në mënyrë të përsëritur se Ulsi Manja është në regjistrim, se i kanë dërguar çunat e Londrës 500 mijë euro. Se përveç 500 mijë eurove, Ulsiu kërkon çantën Louis Vuitton”, tha Berisha.