Prizren: E la të parkuar veturën për dy ditë, kur u kthye Golfi kishte “avulluar”, i riu kërkon ndihmën e policisë
Një qytetar nga Prizreni ka mbetur pa veturën e tij pasi hajdutët dyshohet se ia vodhën nga parkingu ku e kishte lënë të parkuar për dy ditë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për V. Xh., rreth 41-vjeçar, i cili ka raportuar në Polici se automjeti i tij VW Golf 2, me ngjyrë hiri, është zhdukur në rrethana ende të paqarta.

Sipas deklarimit të tij, vetura ishte parkuar më 17 qershor në rrugën “Ankara” në Prizren, ndërsa kur është kthyer pas dy ditësh për ta marrë, automjeti nuk ndodhej më aty.
Sinjali mëson se pronari fillimisht ka kërkuar veturën në afërsi të parkingut, por pasi nuk ka gjetur asnjë gjurmë, ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë – Vjedhje e automjetit”.

Mjaftuan dy ditë që Golfi të zhdukej pa gjurmë. Tash Policia po heton se kush e mori dhe ku përfundoi vetura e 40-vjeçarit nga Prizreni.


