Përvjetorët na sfidojnë dhe obligojnë
Shkruan: Hajdar Mallaku
I
Shën Tereza kish thënë me të drejtë “Disa njerëz vijnë në jetë si bekim”, si një ogur i bardhë për të ardhmën e një kombi, sepse me urtinë e tyre, me trimerinë dhe guximin e tyre, me largëpamësinë e tyre i mobilizojnë masat drejt trendeve positive. Personalitete të tilla historia jonë kombëtare kishte shumë që nga fillet e para të saj. Shumë prej tyre nuk e dimë ku u kanë rënë eshtrat, nuk e dimë ku janë flijuar në Perandoritë e huaja, në kulturat e huaja. Disa prej tyre madje mundohen të na i mohojnë se janë tonët, disa të na i përvetësojnë si është rasti me Konstandinin e Madh, me Shën Terezën e ndnjë tjetër, disa të na i nënvlerësojnë përkundër dokumenteve reale. Kështu na i kanë përvetësuar mitet, legjendat, baladat dhe trashëgimnë tjetër kulturore e materiale. Fqinjët tanë grabitçarë kanë qenë kujdestarë dinakë të humbjeve të çdo gjurme autoktone shqiptare për ta ndërtuar një mbishtresë të rrejshme të prezencës së tyre në këto troje.
Nga këto personalitete do të duhej të ndërtonim Panteonin tonë kombëtar, me kritere akademike, me shpirtgjërësi për të gjetur vend për të gjithë ata që e meritojnë. Por praktika jonë shpesh na ka dëshpëruar. Le t’i përmendim vetëm dy personalitete, me respekt dhe pa i mohuar të tjerët. Kremtuam 550-vjetorin e shkuarjes në amshim të Skenderbeut dhe vitin e quajtëm Vit i Skënderbeut. Po, Vit i Skënderbeut është çdo vit, çdo muaj, çdo ditë. Aq sa e duam Skënderbeun, aq jemi dhe shqipratë. Por përvjetorët na sfidojnë dhe obligojnë. E vërteta është ngulitur pra me shekuj e dikush prej nesh flet çatall: A ishte Skënderbeu shqiptar? A e tradhëtoi krishterimin a myslimanizmin? Sa ishte i gjatë? Sa të gjatë e kishte shpatën? etj. Kush u beson thënieve se Skenderbeu nuk ishte shqiptar(e bëri gjithë atë lavdi për shqiptarët)? Kush nuk beson se Skënderbeu e kishte shpatën të gjatë sa maja e saj arrinte që prej Krujës e deti në skajet e trojeve shqiptare? Kush nuk beson se Skënderbeu ishte i gjatë sa të matej me Alpet shqiprate dhe me Perandoritë armike që i turpëroi? Ai ishte dhe i krishterë dhe mysliman dhe që të dyja i la të pushojnë për hir të atdheut, sepse në shpirtin e tij ziente një bërthamë: ishte gjeni i luftës dhe mbrojtës i qytetërimit evropian. Si i tillë dhe mbeti mobilizuaes dhe frymëzues ndër breza. Demitizimet dhe delegjendarizimet vetëm sa i bëjnë dëm historinë sonë e cila e ka rrugën e hapur krahas tyre të merret me lëndën e vet. Ato i bëjnë ngjarjet dhe personalitetet më madhështore dhe jetojnë deri sa të na duhen. Elita e inteligjencës shqiptare përfundoi në Perandoritë e huaja, ose u shpërngul pas vdekjes së Skënderbeut. Pjesa e mbetur iu kthye letërsisë gojore, miteve, legjendave vetëm e vetëm për ta ruajtur historinë dhe frymën atdhetare.
Në këtë kontekst po e theksoj dhe rastin tjetër. Duke folur për presidentin e parë të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, lexuesi ynë ka pasur rastin t’i lexojë dy shkrime diametralisht të kundërta: në të parin ku thuhaj se Presidenti Rugova e dha frymën e fundit si i krishterë dhe në të dytin ku thuhej se Presidentin Rugova deshën të na e marrin të krishterët dhe ne nuk e japim. Shikoni çfarë hutije paraqesin gojët e këqija. Asnjëra palë nuk e shohin se ai ishte një urtak, një politikan që na bëri mik me botën e fuqishme, një arkitekt i Pavarësisë, një burrë i përbashkimit të shqiptarëve drejt Lirisë, drejt qytetërimit evropian; nuk e shohin atë si shqiptar dhe atdhedashës, por vetëm në kontekst të fesë. Edhe në shumë raste tjera nuk e kemi lënë pa i përbaltur personalitetet tona. Nuk i ndajmë veprat e mira të tyre dhe ato të këqijat. Vetëm përcaktohemi preraz: i mirë, ose i keq. Ne jemi komb i vogël dhe s’e kemi komoditetin për t’i njollosur dhe hedhur poshtë dhe njerëzit me vlera sado të vogla qofshin ato.
II
Në Panteonin real shqiptar një vend meritor, krahas të tjerëve, i takon dhe profesorit Anton Çeta. Në këtë vit kur u kremtua 100-vjetori i lindjes së tij dhe dhe pritet të shënohet 30- vjetori i Pajtimit të gjaqeve, vërtet kërkohet angazhim institucional dhe një program vjetor për shënimin e këtyre përvjetorëve. Në këtë program vend parësor do të kishin tryezat shkencore për veprat e tij, angazhimi për botimin e 13 vëllimeve të veprave (një vëllim vetëm për Manifestimet dhe aktivitetin e tij në Pajtimin e gjaqeve), vendosjen e bustit të tij në vend meritor etj. E meriton të flitet për jetën dhe veprën e tij, për gjeografinë e levizjes së familjes së tij dhe të atij vetë, për nivelin intelektual dhe erudit, për njohjen e begatisë kombëtare nga goja e popullit, për portretin e tij fizik që i ngjante një profeti, për portretin e tij shpirtëror të një njeriu skofiar, gojëëmbël dhe elekuent, fjala e të cilit ishte gatuar me mjaltë, që për çdo situatë kishte zgjidhje adekuate. E kam njohur si student në vitet e 70-ta kur punonte në ndërtesën e vjetër të Institutit Albanologjik dhe bashkë me zot. Anton Berisha, me të cilin organizonim Karvanin poetik, shkonim dhe konsultoheshim. Dhe sot them: “I shndritshin gjithënjë shkronjat në përmendore ! I bëftë dritë fërkemi kahdo që shkeli i angazhuar për Atdhe!”. Perandori e tij ishte Instituti, puna në Katedra me studentë, letërsia gojore dhe mbledhja e folklorit, dhoma e burrave ku ai ishte burrë i burrave, trajtimi i kanunit sipas kohës dhe vizionit të rinj, etj. Të gjitha këto kishin një piketim avangad: ngritjen e kulturës sonë kombëtare dhe Lirinë e Kosovës.
Pushoftë në paqe dhe me lavdi.
III
Kur flasim për Panteonin shqiptar dhe vendin meritor që do ta kishte në të prof. Anton Çeta, do të flasim dhe për përvjetorin e 30-të të Manifestimit të pajtimit të gjaqeve që nga Tuzi i Malit të Zi e deri në fshatrat e Prespës në Maqedoninë e Veriut. Por ne me këtë rast do të flasim për manifestimin e Pajtimit të gjaqeve në fshatin Gjonaj të Hasit. Në këtë përvjetor do të duhej një program institucional nga Republika e Kosovës, nga komunat përkatëse dhe nga vendet ku janë mbajtur këto tubime. Më 2 maj 1990 motivimi ishte shumë më i madh për rrethanat në të cilat qe mbajtur, por as sot nuk guxon të heshtet për hir të atij aktiviteti njerëzor dhe atdhetar. Aktiviteti u nis nga rrethi i Pejës, nga studentë të Raushiqit, të Lumbardhit, të cilët iu drejtuan prof. Zekeria Canës për ndihmë, e ky u tha se do të ishte krahu i djathtë i tyre, por këtë punë më mirë do ta bënte prof. Anton Çeta, njeriu i duhur i kohës. Ky aktivitet, që filloi më 2 shkurt 1990, bëri jehonë gjithandej Kosovës dhe më gjerë, por edhe në Has. Profesor Anton Çeta kishte deklaruar para studentëve hasjanë se do të duhej që një manifestim i tillë të mbahej dhe në Has. Hasi është në brezin kufitar që nga Deva e deri në Gorozhup dhe e kemi të nevojshëm të jetë brez pa ngatrresa, se andej do të kalohet për të gjitha nevojat për në Shqipëri, atje nuk do të duhej të ruhemi nga pritat e vëllavrasjeve, por të kalojmë në besë, të pritemi dhe përcillemi si e ka traditë Hasi. Këtij mesazhi i kish dhënë forcë dhe Ukshin Hoti, i cili i çonte duartë drejt Pashtrikut dhe bën të lutje profetike si u bëheshin dikur lutje perendive ilire. Nga kjo kërkesë e Komisionit Qëndror, studentët që atëherë studionin në Univeszitetin e Prishtinës e nisën aksionin për ta mbajtur një Manifestim të tillë edhe në Gjonaj. Kushtet për mbajtjen e tij ishin tejet të vështira, por vullneti ishte shumë i madh. Populli para vetes kishte armikun, policinë, ushtrinë serbe, paramilitarët, spiunët, gojëkëqinjtë etj. Së pari rinia studentore e krehu terenin dhe zbuloi të gjitha rastet e vrasjeve, plagosjeve dhe ngatrresave e pas tyre vepruan me përkushtim profesorët Anton Çeta, Zekeria Cana, Bardhyl Çaushi, Qamil Gexha, Din Mehmeti, Kajtaz Rrecaj, Ukshin Hoti(këta vepruan në Has të Prizrenit dhe Gjakovës), etj. Ndihmë u dhanë dhe klerikët hasjanë Sheh Rexha, Sheh Muhameti etj.
Leja për ta mbajtur tubimin në muajin prill nuk u dha nga policia. Me këtë problem u përball dhe u arrestua dr. Halil Cikaj që ka merita të veçanta. Ky më në fund arriti ta marrë lejen e cila ndalonte shumëçka e në mes tjerash edhe mbajtjen e flamurit në tubim. Aktivitetet tjera poashtu ishin të vështira. U angazhua i tërë fshati për mbushjen e rrugës me zhavor, punë që u bë për një ditë. U thirren ata që do t’i falnin gjaqet, plagët, ngatrresat, në raste të veçanta u thirrën dhe ata që faleshin. U mbajtën mbledhje në dhomat e Gani Hodajt, të Haxhi Kamber Cikajt, të Zenun Çoçajt, ku u caktuan njerëzit që do ta ndërtonin binën, do t’i siguronin mikrofonat dhe gjërat tjera të nevojshme, do ta siguronin flamurin dhe caktonin personin që do ta mbante(flamurin e siguroi Sylejman Martinaj, ndërsa e mbajti Ajne Çoçaj), caktuan njerëzit që do t’i orientonin pjesëmarrësit për në vendin e organizimit të tubimit, u angazhuan që të sigurohet uji, langjet dhe ushqimi për të gjithë të pranishmit. Kishte pjesëmarrës nga diaspora, nga Tuzi i Malit të Zi, nga të gjitha trojet shqiptare. Kujtojmë se një zonjë, sot emër i njohur i këngës popullore(Sh. F.) ecte zbathur nga burimi deri te vendi i tubimit. Një ditë para se të mbahej tubimi zot. Nexhat Çoçaj me zot. Qamil Kabashi me kombi e morën prof. Anton Çetën nga Peja dhe fjeti në dhomën e Zot. të ndjerë, dëshmorit Zenun Çoçaj. Në këto përgatitje si moderator u caktua zot. Nexhat Çoçaj, personi më i angazhuar, ndërsa fjalën kryesore ma kishin besuar mua. Në tubim folën dhe Have Shala dhe Myrvete Dreshaj. Fjala ime u pëlqye dhe u parafrazua nga prof. Anton Çeta se aksionin tonë po e pengojnë, përpos armikut serb që thoshte se nuk është në traditën shqiptare që të falen gjaqet, por të merren, edhe gojet e këqija që fshihen çosheve dhe thonë se me këtë aksion fitojnë ata që kanë vrarë, që kanë plagosur ose që kanë shkaktuar ngatrresa. Ne u themi atyre se nuk fitojnë ata, por fiton Kosova. Po, fiton Kosova !- e përsërita për së dyti. Më citoi dhe profesori Zekeria Cana duke thënë: “ Më duket se po e shoh kah po zbret kodrës Shtjefën Gjeçovi”- ai diell me rrobe të zezë, po vjen në logun e burrave për t’i dhënë krah Kosovës, me kanun nën sqetull, por me preferenca të reja për kohën.
Pastaj erdhi radha e faljeve të gjaqeve. Në praninë e 350 mijë pjesëmarrësve(sipas mediave të atëhershme, ndoshta dhe të rritura) u falën 36 gjaqe(12 nga Hasi), 49 plagë dhe afro 100 ngatrresa. Mbetën pa u pajtuar tre gjaqe. U falën dhe afro 100 ha tokë për bashkëatdhetarët që donin të riatdhesoheshin. Kjo ishte një kundërvënie e rikolonizimit serb që po synohej të bëhej si dikur në Has si zonë kufitare, për ta shkëputur qenien shqiptare këndej dhe andej kufirit. Krejt këto u bënë nën valën e emocioneve rrëqethëse, të një dhimbjeje krenare që u kthye në një spektakël atdhetarie me qëllim që të gjitha energjitë të orientoheshin drejt lirisë.
Prapaskena në Gjonaj ishte krejt tjetër. Gjonajt ishin të rrethuar me ushtri. I tërë fshati ishte i mbushur me policë, me punëtorë sigurimi serbë e spiunë. Mbi kokë fluturonte helikopteri që si shqiponjë me kthetra dhe çapoj të kapte dikë.
Por në Gjonaj nuk kishte frikë: kishte guxim, përgatitje për sakrifica, kishte atdhetarizëm, kishte bujari.
Do t’u hynim në hak edhe policëve shqiptarë që ende ishin në shërbim në atë kohë, që nuk intervenuan në asnjë rast. Madje kishin marrë urdhër nga polici vendas K. L. që në asnjë rast mos ta pengojnë askë dhe të hiqen pikat e kontrollit.
Rinia studentore ishte, po them prapë, forca motorike e këtij aksioni. Ajo duhet të falenderohet dhe emrat e tyre të shënohen në këtë faqe të historisë. Ata janë:
- Nexhat Çoçaj
- Halil Cikaj
- Fadil Mallaku
- Sylejman Martinaj
- Kasam Letaj
- Liman Shatri
- Destan Cakaj
- Shyhrete Hoxhaj
- Florije Çoçaj
- . Ajne Çoçaj
- . Melihate Çoçaj
- . Shemsije Çoçaj
- . Shaban Osmanollaj
- . Naki Mallakaj
- . Gëzim Duraj
- . Hamëz Duraj
- . Darsim Çollaku
- . Sadri Hodaj
- . Hate Totaj
- . Nazmije Totaj
- . Gafurr Pervizaj
- . Agim Lajçaj
- . Flamur Shehu
- . Asllan Berisha
- . Gaspër Karaçi (dëshmor)
- . Shyqëri Krasniqi
- . Avdyl Gashi
- . Afrim Gashi
- . Fadil Nerjovaj
- . Shpend Nerjovaj
- . Ahmet Cakaj
- . Hatixhe Çollaku
- . Merita Çollaku
- . Marte Prenkëpalaj
- . Fatmire Hodaj
- . Fidajete Totaj
- . Arsim Kërhanaj
- . Meribane Demiraj
- . Halit Alija
- . Ali Ferri etj. (Kërkoj falje nëse dikuj që e ka merituar i mungon emri).
Edhe ky manifestim pati jehonë të madhe. Përnga numëri i pjesëmarrësve vinte fill pas atij te Verrat e Llukës. Kaloi pa asnjë incident. U mbrojtën të mos arrestoheshin profesorët dhe aktivistët.
Erdhi pastaj lufta dhe ne në të hymë ballë për ballë vetëm me armikun. Nuk e ruajtëm shpinën nga pushka e vëllavrasjes, as nga hakmarrja.
Ambiciet për përvetësimin e meritave për organizimin kaq madhështor të këtij manifestimi u dukën fare pak nga organizatorët e vërtetë, por u dukën shumë nga ata që nuk ishin të Hasit dhe nuk kishin kontribuar fare.
Po e përkujtoj se me rastin e 20-vjetorit të atij organizimi u inskenua një përkujtim jubilar, prapë në Gjonaj, por pa Gjonajt. Ishin tubuar klerikë fetarë gjithandej, udhëhequr nga F. B. të cilëve iu dhanë mirënjohje, e nga Hasi iu dha vetëm zot. Sylë Hoxhës. Këta zotërinj kishin pritur të hyjnë në zjarr, kur zjarr nuk kishte. Sa ironike tingëllon ! Këta kanë kontribuar ndoshta në vendet e tyre, por jo në Has.
Ku mbetën profesorët e nderuar të Univerzitetit të Prishtinës, ku mbetën intelektualët hasjanë, ku mbeti rinia studentore e lavdishme hasjane? Ku mbetën banorët e Gjonajve dhe të tërë Hasit ?
Gjonajt ishin në vorbullën e zjarriet dhe në ato kushte nuk e lanë asnjë pjesëmarrës pa një pikë ujë, pa bukë e kripë e zemër, pa një falenderim. Ju lumtë sot për atëherë !
Por këto lëshime nuk guxojnë të ndodhin tjetër herë.
Unë e bëra këtë shkrim me qëllim që t’i aktivizoj organet shtetërore nëse atyre u kanë bërë përshtypje këto aktivitete të atëhershme. Unë isha vetëm një krah i vogël i këtij aktivitëti dhe më mjaftuan fjalët falenderuese të shumë personaliteteve: “Fjalim më domethënës për ne dhe kohën ishte ai i profesor Hajdar Mallakajt” Dy vjet pas këtij organizimi më thirri të dal nga ora e mësimit një njeri i panjohur. Më pyeti se a jam unë ai që e pata mbajtur fjalën kryesore në tubim. Po, i thashë. Desha të të shoh- tha, pasi erdha në Zym. Atëherë më jeni dukur ti dhe të tjerët madhështorë (si duket në thjeshtësinë që e pa te unë nuk ia mbusha syrin). Zotëri, i thashë prapë, madhështor ka qenë Tubimi dhe qëllimet e tij, prandaj të jemi dukur të tillë. Qeshi dhe e ftova ta pimë nga një kafe me të.
Ndërsa rinia studentore e asaj kohe, edhe pse ndoshta e shpërndrë andej kah i ka bartur jeta, mirë është që të tubohen atë ditë së paku për një kafe dhe për kujtime, nëse nuk organizohet asgjë.
Ndërsa i tërë materiali i Luftës së UÇK-së dhe pjesëmarrjes së Hasit në të si dhe Tubimit për pajtimin e gjaqeve duhet të publikohet dhe të ruhet në arkiv. Kjo është porosi që na obligon.
P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.