Përvjetori në karantinë i masakrës së Krushës

Krusha e Madhe po i bën 21 vjet që kur pa tmerrin e vrasjes dhe masakrimit të 241 personave. Por, plagën e hapur ende po e mbajnë 64 të tjerë të zhdukur.

Këtë herë, fshati e shënoi ngjarjen në karantinë dhe anuluan shumë prej aktiviteteve të planifikuara si mbjelljen e drurëve me moton “Një fidan, një kujtim”, dhurimi i gjakut me moton “Gjaku i Lirisë” dhe disa të tjera, njofton Klan Kosova.

Kryetari i Krushës Selami Hoti pati një kërkesë në emër të qytetarëve të Krushës – kërkesë që e bëjnë çdo përvjetor.

“Fatkeqësisht sivjet ishte përvjetor në karantinë. Iu kemi përmbajtur udhëzimeve të nivelit qendror dhe lokal që të mos mbajmë tubime. Një brengë të madhe që kemi edhe sot mbarë Krusha janë të pagjeturit. Një plagë e rëndë dhe problem shumë i madh që na përcjellë çdo ditë dhe nga mëngjesi deri në mbrëmje. Serbia e njeh vetëm gjuhën e dhunës, prandaj presim nga Bashkësia Ndërkombëtare bëjnë më shumë. Jemi të fyer dhe të indinjuar”.

Mëgjithëse nuk u mblodhën qytetarët për shkak të mbrojtjes nga koronavirusi kryetari i Rahovecit me bashkëpunëtorë, invalidë e veteranë, familjarë të të rënëve, bënë homazhe dhe nderime, te Kompleksi Përkujtimor në Krushë të Madhe, ku kujtuan dhe nderuan të gjithë ata që u vranë, masakruan e u zhdukën nga okupatori serb në luftën për liri.

“Në këtë ditë nderuam e përkujtuam me përkushtim të lartë gjakun dhe veprën atdhetare të të rënëve për liri, të 241 të vrarëve dhe masakruarve , prej të cilëve 64 ende mungojnë e nuk dihet asgjë për fatin e tyre, duke përfshirë edhe atdhetarin dhe burrin e shquar të kombit shqiptar profesor Ukshin Hoti. Lavdia dhe nderimi ju takon të rënëve për liri, ndërsa neve na bie për hise të punojmë e angazhohemi për jetësimin e aspiratave tona kombëtare. Lavdi të rënëve të Krushës së Madhe dhe të gjithë të rënëve anekënd trojeve shqiptare! U jetësoftë akoma më shumë amaneti i të rënëve për Liri”, ka thënë Latifi.