Peticion për ngritjen e pagave, një pjesë e mësimdhënësve të Prizrenit të pakënaqur
Një pjesë e mësimdhënësve të shkollave të Prizrenit ka mbetur e pakënaqur me Marrëveshjen në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Arsimit (SBASHK) për pagat e tyre. Për këtë mësimdhënësit e nivelit fillor (klasat 1-5) dhe ata të mesëm të lartë, kanë nisur nënshkrimin e një peticioni, përmes të cilit kërkojnë që institucionet e vendit, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës ta shqyrtojnë Ligjin për paga, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Krahas mësimit pas grevës trivjavore në kërkim të rritjes së koeficientit të pagave të tyre, mësimdhënësit përmes degës së SBASHK-ut në Prizren, janë duke nënshkruar peticionin, drejtuar Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Arsimit, asaj të Financave si dhe vetë SBASHK-ut në Prishtinë.
“Marrëveshja për pagat ka shkaktuar pakënaqësi. Anashkalimi i këtyre kategorive është i padrejtë meqë nga përgatitja universitare janë të barabartë me gjithë të tjerët. Arsyetimi si gjithnjë ka pasur dallim ndërmjet ciklit të ulët dhe atij të lartë nuk qëndron. Kjo shkakton pakënaqësi, indinjatë dhe indiferencë ndaj profesionit që ushtrojmë, rrjedhimisht rezultatet e punës së tyre do të jenë ndryshe”, thuhet ndër tjera në peticion.
Derisa nga institucionet e lartpërmendura kërkohet që kjo çështje të merret seriozisht dhe që Kuvendi në një nga seancat e ardhme ta kërkojë amandamentimin e Ligjit për Paga dhe ngritjen e koeficientit për paga për këto nivele, nga SBASHK-ut kërkojnë angazhim më këmbëngulës për “shuarjen e këtyre dallimeve joparimore”. /GazetaePrizrenit.net/