26-04-2024

Pezullimi i konkursit për mësimdhënës, deklarohet kryetari Haskuka

Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, ka folur rreth çështjes së pezullimit të konkursit për mësimdhënës nga Gjykata e Prizrenit.

Konkursi i komunës së Prizrenit për mësimdhënësit, që ishte shpallur më 4 nëntor të këtij viti, është pezulluar nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Haskuka, thotë se lidhur me këtë vendim të Gjykatës është informuar së pari nga mediat, ndërsa zyrtarisht një vendim i tillë është dërguar në DKA të enjtën pasdite.

Ai thotë se lidhur me këtë çështje, do të ndiqen rrugët ligjore.

Kryetari Haskuka e pranon faktin se kemi të bëjmë me një gjendje tejet problematike, pasi sipas tij edhe vendimet nga instancat më të larta po na shkaktojnë telashe të mëdha, dhe kërkoi që edhe drejtoritë e shkollave të japin kontributin e tyre që nxënësit mos të mbesin pa orë mësimore deri në zgjidhjen e këtij problemi.

Ndryshe, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, ka konfirmuar për media pezullimin e konkursit të datës 4 nëntor 2019, të shpallur nga Zyra e Personelit të Komunës së Prizrenit.

“Gjykata Themelore e Prizrenit ka aprovuar si të bazuar propozimin e propozuesve Arta Begaj-Thaçi, Ardita Dilji, etj. të cilat i përfaqëson avokati Muhamet Shala, ku caktohet masa e përkohshme e sigurimit me të cilën i urdhërohet të paditurës Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, ashtu që pezullohet konkursi me nr.01-111-154376 i datës 04.11.2019, shpallur nga Zyra e Personelit të Komunës së Prizrenit deri në shterjen e mjeteve administrative apo deri në një vendim tjetër të gjykatës”, ka thënë Kicaj./ TV Prizreni/

Asnjë koment

Comments are closed.