“PISA”-t janë në stres, duan t’ia heqin Kosovës njollën
Përgatitjet për testin PISA, janë intensifikuar në shkollat e përzgjedhura. 7 mijë nxënës të moshës 15 vjeç, janë duke praktikuar edhe anën teknike, meqë testimi do të jetë me kompjuterë.
Sipas koordinatores për cilësi në shkollën “Dardania” në Prishtinë, vështirësitë e nxënësve dallojnë në varësi të njohurive të tyre, por më të shpeshta janë në matematikë.
Nxënësit që do të testohen e shohin këtë në një formë si barrë, por thonë se po përgatiten që ta rëndisin më lartë vendin në këtë test.
Me gjithë mundin, pritjet për rezultate të mira nuk janë fort të larta. Sipas drejtorit të shkollës “Ahmet Gashi”, pandemia dhe mësimi online kanë ndikuar negativisht në cilësi, dhe kjo mund të jetë e vërejtshme edhe në PISA.
Testi do të mbahet nga 25 prilli deri më 20 maj, ndërkaq, sipas Ministrisë së Arsimit, përgatitje ka në të gjitha komunat përmes koordinatorëve që po punojnë me nxënësit e përzgjedhur, që këta të njihen me formatin e testit, meqë pyetjet nuk dihen.
MASHT-i bazuar në kalendarin e OECD-së, lajmëron se rezultatet e testit PISA janë paraparë të dalin në dhjetor të vitit 2023.