Pizren: Gjykimi për vjedhjen grabitqare në “Viva Fresh”, refuzohet propozimi që njëri i akuzuar të dëgjohet si dëshmitar
Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar propozimin e prokurorit, që i akuzuari për përdorim të armës, Xhafer Ahmetaj të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit.
Të akuzuar në këtë rast, për vjedhje grabitqare, janë edhe Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së martës, prokurori propozoi që të dëgjohet si dëshmitar i akuzuari Xhafer Ahmetaj, me arsyetimin se do të mund ta tregojë gjendjen faktike.
Kurse mbrojtësi i të akuzuarit në fjalë, avokati Qazim Xharra e kundërshtoi propozimin e prokurorit, ndërsa vet propozoi që i mbrojturi i tij të jetë në cilësinë e të dëmtuarit.
Propozimi i prokurorit Nixha u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha. Ndërsa sa i përket propozimit të avokatit Xhara, gjykatësja tha se për të do të vendoset në seancat e radhës.
Meqenëse mbrojtësit e të akuzuarve e prokurori nuk patën propozime tjera për dëshmitarë, ky i fundit kërkoi nga trupi gjykues kohë për sigurimin e secilës provë, në mënyrë që leximi dhe administrimi i tyre të bëhet sa më lehtë.
Në këto rrethana, gjykatësja Krusha e ndërpreu seancën e së martës, kurse atë të radhës i caktoi më 3 dhe 4 nëntor 2021, nga ora 10:00.
Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj akuzohen se më 2 shtator 2020, rreth orës 03:35, në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit, në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në bashkëveprim edhe me të miturin H.B., të zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes, me qëllim pasurinë e vjedhur ta mbajnë, përdorin armën e zjarrit për ta sulmuar personin tjetër.
Në aktakuzë thuhet se Ahmet Ahmetaj duke pasur armën me vete si dhe duke përdorur forcën përmes një shufre metalike, në shoqërim të të miturit i cili ka pasur në dorë një kaçavidë, hapin derën e qendrës tregtare dhe të gjithë futen brenda, ku arrijnë të përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të cigareve.
Gjatë daljes nga qendra tregtare thuhet se ata vërehen nga dëshmitari Xhafer Ahmetaj, i cili ishte edhe pronar i objektit, ku Ahmet Ahmetaj me të kuptuar që janë vërejtur nga pronari i objektit ka shkrepur me armë në ajër dhe më pas hipin në veturën “ Renault Megane” dhe largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar kështu “Viva Fresh Store” dëm material.
Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhja grabitqare” nga neni 316, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Xhafer Ahmetaj, gjatë kohës kur ka zënë të lartpërmendurit në flagrancë, ka përdorur armën e zjarrin në kundërshtim me ligjin, ndonëse për të njëjtën posedon leje nga organi kompetenet.
Aty thuhet se derisa Ahmet Ahmetaj ka shtënë me armë zjarri në ajër për ta frikësuar Xhafer Ahmetajn, ky i fundit gjithashtu nga terrasa e shtëpisë ku banon shtinë 4 herë me armë në ajër, nga frika për të dhe familjen e tij, me qëllim që t’i largojë të pandehurit.
Në fund, në aktin akuzues thuhet se posa policia arrijnë në vendin e ngjarjes, Xhemaj Ahmetajt ia sekuestrojnë armën në fjalë.
Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.