“Po punësohen jaranat”- Shpërfaqet përplasja e brendshme në VV për punësime
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Blerim Saramati, ka thënë se kjo parti në nivel qendror po e keqpërdor pushtetin, pasi po punëson nëpër pozita familjarë e të afërm.
Kështu ka bërë të ditur ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, pikërisht në ditën kur Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e vizitoi Prizrenin, shkruan Gazeta Metro.
“Nëse doni të njihni karakterin e dikujt… jepini pushtet! Abraham Lincoln. Nese doni te shihni se si po punesohen kusherinjet, dostat e jaranat hajdeni ne Prizren. Nese doni te shihni se po zhvlersohen deri ne perbuzje shumica e aktivisteve perseri hajdeni ne Prizren”, ka shkruar ai teksa e ka shoqëruar me një fotografi të objektit të Komunës së Prizrenit.
Me këtë postim, aktivisti në fjalë, siç duket i është drejtuar liderit të VV-së, Albin Kurti, i cili sot komunën e vizitoi për të parë nga afër gjendjen atje, pas shfaqjes së koronavirusit, shkruan Gazeta Metro.
Kujtojmë se kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Hasuka në vazhdimësi është kritikuar për punësime të shumta e emërime të personave të tij në drejtori të ndryshme.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, është parë të ketë emëruar në borde të ndërmarrjeve publike pikërisht anëtarët e saj.
Kryeministri në largim, Kurti këtë e ka arsyetuar se është e përkohshme dhe se këta do të ndihmojnë që të rregullohet situata në këto borde.