Policët do të trajtohen me prioritet në të gjitha spitalet e Kosovës
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se shëndeti i zyrtarëve policorë është prioritet shtetëror, raporton Indeksonline.
“Në këtë marrëveshje që ka në fokus dhënien e shërbimeve me prioritizim për personelin policorë i është dhënë rëndësi e veçantë dhe shëndetit të gruas në Policinë e Kosovës, përmes kryerjes së kontrolleve në zbulimin e hershëm të sëmundjeve si kanceri i gjirit dhe kanceri i qafës së mitrës, analizave specifike hormonale etj.”, ka thënë mes të tjerash Sveçla.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Shëndeti i zyrtarëve policorë është prioritet shtetëror.
Zyrtarët policorë duhet të jenë në shërbim dhe të gatshëm në përmbushjen e detyrave në çdo kohë. Trajtimi i tyre mjekësor me prioritet shkon në mbështetje të misionit të tyre. Pas një pune intensive sot u nënshkrua marrëveshja që siguron mbështetje të kualifikuar për kontrollet shëndetësore.
Zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet përfshirë edhe në listat e pritjes në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pra dhe në të gjitha Spitalet Rajonale të Republikës së Kosovës.
Sot është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Drejtorit të ShSKUK-së Elvir Azizi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, përmes së cilës personelit policorë dhe rekrutëve do të iu ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbimet mjekësore, psikologjike dhe specialistike të nivelit dytësor dhe tretësor në ShSKUK dhe në të gjitha Spitalet Rajonale.
Në këtë marrëveshje që ka në fokus dhënien e shërbimeve me prioritizim për personelin policorë i është dhënë rëndësi e veçantë dhe shëndetit të gruas në Policinë e Kosovës, përmes kryerjes së kontrolleve në zbulimin e hershëm të sëmundjeve si kanceri i gjirit dhe kanceri i qafës së mitrës, analizave specifike hormonale etj.
Zbatueshmëria e kësaj marrëveshje do të garantohet përmes zyrtarëve policor që do të vendosen si pika referuese për zyrtarët policor në ShSKUK dhe spitale rajonale.
Falënderoj Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për gatishmërinë në shërbim të të gjithë rekrutëve dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës.