26-06-2026

Policët e Kosovës do të patrullojnë në Shqipëri

Policia e Kosovës ka konfirmuar për IndeksOnline se patrullimet e përbashkëta me Policinë e Shtetit të Shqipërisë për sezonin turistik veror do të zhvillohen nga 1 korriku deri më 31 gusht 2026.

Në një përgjigje Policia e Kosovës bëri të ditur se bashkëpunimi bazohet në Memorandumin e Bashkëpunimit për shërbimet e përbashkëta të Policive Rrugore të Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2026.

“Lidhur me pyetjet në vijim mund të konfirmojmë se në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit lidhur me shërbimet e përbashkëta të Policive Rrugore të Shqipërisë dhe Kosovës për vitin 2026, ky bashkëpunim do të fillojë nga data 01.07.2026 deri më 31.08.2026. Zyrtarët policorë do të caktohen në lokacione sipas vlerësimeve dhe planifikimeve të policisë shqiptare”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ky konfirmim vjen pasi autoritetet shqiptare njoftuan se gjatë sezonit turistik veror do të angazhohen rreth 1.600 efektivë shtesë në terren, ndërsa në kuadër të planit të sigurisë është paraparë edhe bashkëpunimi me policitë e vendeve fqinje, përfshirë Kosovën.

Patrullimet e përbashkëta synojnë lehtësimin e komunikimit me qytetarët e Kosovës që kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar, si dhe rritjen e sigurisë dhe menaxhimit të trafikut gjatë periudhës së fluksit të madh të turistëve.

Asnjë koment

Comments are closed.