Polici shpëton punëtorin në Suharekë
Një zyrtarë policor ka shpëtuar dje në Suharekë jetën e punëtorit të një kompanie derisa po bënte instalimin dhe shtrirjen e kabllos së internetit.
Nga policia thonë se punëtori ishte duke punuar në një shtyllë ku kishte edhe rrjet elektrik. I njëjti ishte i lidhur me rripin e sigurisë, por për një moment dyshohet se është goditur nga rryma elektrike ku është varur pa ndjenja në rripin e sigurisë.
“Dy punëtorët tjerë ndihmës kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku patrulla policore që ishte në afërsi ka vepruar menjëherë dhe njëri nga zyrtarët është ngjitur lart në shtyllë duke e tërhequr poshtë punëtorin i cili ishte pa ndjenja”.
“Me këtë rast është njoftuar emergjenca e cila ka arritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe i është ofruar ndihma e parë, për t’u trajtuar më pas në spitalin rajonal në Prizren”, thonë nga policia.
Veprimet e policit në Suharekë kanë bërë që punëtori të shpëtojë nga vdekja dhe viktima pas tretmanit mjekësor në spitalin rajonal është liruar në shtëpi.