Policia ia gjen një kosovari 3.500 copë argeta në veturë, dyshohet se erdhën nga Serbia

Policia parandalon një rast të kontrabandës me mallra. Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitet kufitare të Task Forcës –Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Stacionin për Mbikëqyrje të Kufirit –Muqivercë, në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacioneve në teren.

Më 12.02.2024 në hyrje të fshatit Novosellë-Kamenicë, është vërejtur një veturë me targa vendore, për të cilën kishte informatë se ishte duke kontrabanduar mallra nga Serbia përmes fshatit Breznicë.

Gjatë kontrollit të automjetit i cili drejtohej nga H.Gj., (viti i lindjes 1972, mashkull kosovar), është vërejtur se i dyshuari kishte pasur të ngarkuar rreth 250 pako me argeta me nga 14 copë gjithsej 3500 copë për të cilat nuk kishte asnjë dokument dhe dyshohet se kanë prejardhje nga Serbia.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli i kontrabanduar sekuestrohet dhe dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.