25-04-2024

Policia konfirmon arrestimin e deputetit prizrenas, Demiri: Gjuajti me armë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Demiri, është ndaluar sot nga Policia e Kosovës për armë mbajtje pa leje dhe gjuajte me armë.

Bashkë me një person tjetër, i cili e ka pranuar se arma ka qenë e tij, janë shoqëruar në polici për intervistim.

Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Blic drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit, Faton Aliu.

“Nuk është arrestuar. Sot gjatë ditës, në orët e pasditës patrollat tona gjatë kontrollimit në një fshat të Prizrenit, kanë dëgju të shtëna me armë zjarri dhe patrulla ka shkuar në vendin e ngjarjes. Aty ka taku dy persona, deputetin dhe një djalë aty të fshatit, kanë pasë një armë gjysmë automatike në dorë që dyshojmë se e kanë përdorë aty. Policia e ka konfisku armën, i ka marrë dy persona, i ka dërgu në stacion, janë intervistu, arma është konfiskuar me 16 fishekë. Është njoftu prokurori, është kry bastitsje në shtëpinë e djalit që ka qenë me deputetin, i cili ka pranuar se arma është e tij. Është kry bastisja, nuk është gjetë dicka tjetër, në konsultim me prokurorin rasti procedohet në mënyrë të rregullt. Nuk është i ndaluar asnjëri prej të dyshimtëve të akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës”, ka thënë Aliu për GazetaBlic.

“Nesër dorëzojmë kallëzimin penal dhe prokuroria në Prizren e procedon rastin tutje”, shtoi ai.

Ndërkohë zëdhënësi i Policisë në Prizren,  Shaban Osmanollaj, ka konfirmuar për portalin “GazetaePrizrenit.net” se gjatë ditës së sotme, policia ka ndaluar dy persona për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve.

Sipas tij, kjo ka ndodhur në fshatin, gjatë pasdites në fshatin Pouskë të zonës së Zhupës, me ç’rast gjatë kontrollit të tyre ka gjetur një pushkë gjysmautomatike të njohur si “dhjetëshe” dhe 16 fishekë.

Asnjë koment

Comments are closed.