24-04-2024

Policia prizrenase në kërkim të karriges për fëmijë në vetura

Ditëve të fundit , policia në Prizren, ka shtuar kontrollet për pajisjen e makinave me ulëse të veçantë për fëmijë deri në moshën 12 vjeçare.

Pajisja e makinave me ulëse për fëmijët e kësaj moshe është e rregulluar me ligjin për komunikacion në Republikën e Kosovës.

Zyrtari për informim i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, rreshteri Vesel Gashi, thotë se policia ditët e fundit i ka intensifikuar kontrollet në trafik pikërisht për çështjen e ulëseve, dhe thotë se ata vetëm po e zbatojnë ligjin i cili ka hyrë në fuqi nga 1 janari 2018.

Ai thotë më tej se policia ka shqiptuar dhjetëra gjoba deri më tani, dhe se do të vazhdojnë të kontrollojnë vozitësit,  ndërsa  apeloi që pjesëmarrësit në trafik të respektojnë ligjin në fuqi, pasi që edhe gjobat për kondërvajtje në këtë rast janë të larta.

Disa nga qytetarët pjesëmarrës në komunikacion, Agim Thaçi, Ismail Kovaçi dhe Ismet Gashi, deklaruan se, përdorimi i ulëseve të veçanta për fëmijë i siguron këta të fundit gjatë udhëtimit me vetura, por disa nga ata thanë se një gjë e tillë ende nuk i është kërkuar gjatë ndalimit nga policia.

Dikush në humor , tha se shqiptarëve iu nevojiten më shumë ulëse në vetura, për një shkak me të cilin dallohemi si popull. Sipas ligjit, fëmijët nën moshën 12 vjeç dhe me lartësi nën 150 centimetra duhet të kenë një ulëse të veçantë.

Në mungesë të saj, vozitësit do të gjobiten nga 100 deri në 300 euro./tvprizreni/

 

Asnjë koment

Comments are closed.