Porosit veturë 40 mijë euro në Gjermani, por shitësi i merr paratë dhe s’lajmërohet më
Qytetarë të shumtë kërkojnë ndihmën e Policisë në momentin që kuptojnë se janë mashtruar nga persona të caktuar. E më së shumti mashtrime bëhen në shitblerjen e gjërave të ndryshme. Kështu e pësoi edhe një person në Gjakovë.
61-vjeçari nga Gjakova ka paguar shumë të majme parash për të blerë një veturë të re, të cilën vendosi ta marrë nga një shtet evropian.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjakovari ka paguar plot 40 mijë euro për veturën që donte ta kishte, por që nga koha kur ka transferuar paratë përmes bankës te shitësi, ky i fundit s’është bërë më i gjallë.
Meqë janë bërë më shumë se një javë, ankuesi ka vendosur të denoncojë rastin në Polici, ku ka deklaruar se është mashtruar nga i dyshuari.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka nisur hetimet për ‘Mashtrim’, teksa i dyshuari nuk është kontaktuar ende.