Pranon fajësinë i akuzuari për posedim të paautorizuar të narkotikëve në Malishevë

I akuzuari për posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, Arian Krasniqi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është deklaruar fajtor.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Nazmi Krasniqi, i akuzuari e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me pranimin e fajësisë, prokurori Krasniqi, ka deklaruar se janë përmbushur kushtet ligjore, pasi sipas tij, pranimi është bërë në mënyrë vullnetare pa presion, si dhe ka kërkuar nga gjykata të konfiskohet substanca e tipit “marihuanë”, me peshë të përgjithshme 12.60 gram.

Gjykatësi Lulzim Paçarizi, e ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 22 shkurt 2021, në ora 14:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 20 shtator 2019, ndaj të akuzuarit Arian Krasniqi, me pretendimin se ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 269, paragraf 1, të KPRK–së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Krasniqi, më 16 gusht 2019, në Malishevë, në rrugën “Ibrahim Mazreku”, pa autorizim posedon substanca psikotrope ose analoge, të llojit “marihuanë”, të shpallura të rrezikshme sipas nenit 9 dhe nenit 14 të Ligjit për barnat narkotike, substanca psikotrope dhe prekusorë.

Në aktakuzë thuhet se pasi që i akuzuari është ndalur nga policia dhe është kontrolluar, i është gjetur në qese najloni me substancë në formë bari, e cila substancë është sekuestruar nga zyrtarët policor, e që më pas në bazë të raportit të ekspertimit, substanca ka rezultuar që të jetë narkotik i llojit marihuanë, me peshë 12.60 gramë. /BetimipërDrejtësi