19-04-2024

Pranon fajësinë polici që akuzohet se rrahu dy persona në stacionin policor në Malishevë

Zyrtari policor, Mehdi Hoxha, ka pranuar fajësinë se rrahu të dëmtuarit Safet dhe Artan Suka në stacionin policor të Malishevës në dhjetor të 2018-ës.

Pranimin e fajësisë për veprat që i vihen në barrë, i akuzuari Hoxha e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, pasi që me kërkesë të tij, aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në konsultim edhe me avokatin tim, i pranoj të tri veprat penale, për të cilat akuzohem, të njëjtat i pranoj në mënyrë vullnetare”, deklaroi i akzuuari Hoxha.

Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Kastriot Memaj dhe të dëmtuarit, më pas si i tillë u aprovua nga gjykatësi Njazi Morina.

Pas kësaj shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar më fjalën përfundimtare të prokurorit Memaj, i cili kërkoi nga gjykata që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim sipas ligjit dhe gjatë matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe fajësuese.

“Në rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, gjykatës i propozojmë që si rrethanë lehtësuese të marrë pranimin e fajësisë, të bërë nga i akuzuari, ndërsa si rrethanë rënduese të ketë parasysh, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale”, tha prokurori Memaj.

Në fjalën përfundimtare të dhënë nga përfaqësuesi ligjor i të dëmtuarit Safet Suka, avokati Ndrec Doda, ka deklaruar se si palë e dëmtuar para këtij shqyrtimi gjyqësor janë takuar me të akuzuarin i cili ka kërkuar falje dhe ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.

Avokati Doda shtoi se si palë e dëmtuar heqin dorë nga ndjekja penale, duke thënë se rezervojnë të drejtën ligjore për kompensim dëmi në një procedurë tjetër.

Edhe dy të dëmtuarit Safet dhe Artan Suka, sa i përket fjalës përfundimtare kanë deklaruar se e mbështesin deklaratën e avokatit Doda.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Emrush Kastrati, në fjalën përfundimtare ka deklaruar që fillimisht i kërkon falje palës së dëmtuar dhe palëve në procedurë, si dhe i ka propozuar gjyaktës që gjatë matjes së dënimit të merren parasysh vetëm rrethanat lehtësuese.

“Gjykatës i propozoj që më rastin e shqiptimit të dënimit të ketë parasysh vetëm rrethanat lehtësuese dhe ato jo rënduese, ngase fakti që i mbrojturi im, pavarësisht natyrës së veprave penale e ka pranuar fajësinë, i eliminon rrethanat rënduese”, tha avokati Kastrati.

Tutje ai kërkoi nga gjykata që në rastin e shqiptimin të secilit dënim veç e veç, si dhe dënimit unik për të tri veprat penale, në pajtim me dispozitat ligjore, të akuzuarit t’i mundësohet dënimi eventual me burgim në dënim me gjobë.

Asnjë koment

Comments are closed.