Presidenti nuk dekreton Ligjin për Paga, hyn në fuqi automatikisht
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka dekretuar Ligjin për pagat, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga zyra e presidentit.
“Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi. Zyra e presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, thuhet në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për informim e presidencës.
Afati ligjor prej tetë ditësh për dekretim apo kthim në Kuvend të këtij Ligji kaloi në mesnatën ndërmjet 20 dhe 21 shkurtit.
Pasi ka kaluar afati ligjor për një vendim nga presidenti, Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se në bazë të Kushtetutës se Republikës se Kosovës, Ligji i pagave konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e presidentit Thaçi dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
Në bazë të Kushtetutës se Kosovës, ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit dhe shpallet nga presidenti i Republikës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë ditësh, pasi të ketë marrë ligjin.
Nëse presidenti i Kosovës e kthen ligjin në Kuvend, duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit. Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë. Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.
Kurse nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare. Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.