Prishtina kërkon licencimin KAS
Prishtina ka njoftuar se ka bërë ankesë për licencim në Komisionin për Arbitrazh Sportiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Kjo pasi deri më tash Federata e Futbollit të Kosovës në dy raste ka refuzuar licencimin e Prishtinës. Si klub i palicencuar Prishtina rrezikon daljen në ndeshjet e garave të kupave evropiane ani se e ka fituar të drejtën pas fitores në Kupën e Kosovës.
“Ne duam të ju njoftojmë që klubi ka dërguar ankesën për licencim në KAS të KOK-ut. Siç e dini, FC Prishtina është klubi i parë i licencuar në Ministrinë e Sportit, por të njëjtat kritere sipas FFK-së ne nuk i plotësuakam për të garuar në Evropë. Për ne nuk vlejnë rregullat e njëjta ashtu siç vlejnë për klubet tjera. Këto metoda i kemi parë edhe më herët, ia kemi dalë atëherë, do t’ia dalim edhe tani. Por, të bashkuar do t’ia dalim edhe më lehtë. Andaj, skuadrës sonë, i duhet përkrahja juaj më shumë se kurrë më parë. Kemi fituar Kupën e Republikës, e cila na mundëson të luftojmë për të drejtën tonë për ta përfaqësuar vendin në garat e UEFA-së. Dhe nga kjo nuk do të heqim dorë lehtë”, ka njoftuar Prishtina. “Klubi i futbollit Prishtina është subjekti më i besuar tek sponsorët e shumtë në mbarë vendin. Ky besim është arritur me punë dhe me korrektësi. Ky bashkëpunim me biznesin në vazhdim do të jetë edhe më u fuqishëm. Me adhuruesit tanë të shumtë, me sponsorët tanë besnik, së bashku do të jemi edhe më të fortë”.