18-04-2024

PSRK kërkon dënimin e Remzi Shalës, mbrojtja pretendon se është bërë ndryshim i aktakuzës

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, prokurori special Haki Gecaj, në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Remzi Shala, ndërsa mbrojtësi i Shalës, avokati Blerim Mazreku pretendon se në fjalën përfundimtare është bërë ndryshimi i aktakuzës.

Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë H.P nga shtëpia e tij dhe pas disa ditësh trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Gecaj ka kërkuar që i akuzuari Shala të dënohet sipas ligjit, ndërsa avokati Mazreku tha se ndryshimet e aktakuzës në fjalë përfundimtare të prokurorit janë esenciale dhe ndryshojnë teorinë e mbrojtjes.

Prokurori Gecaj, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, derisa në elaborimin e saj, ka thënë se nga vërejtjet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supremes sa i përket terminologjisë së përdorur, kualifikimit juridik të veprës penale dhe terminologjisë së përdorur në dispozitiv lidhur me veprimet inkriminuese të të akuzuarit, tani dispozitivi do të qëndrojë si në fjalën përfundimtare.

Ai ka thënë se mbrojtjes së të akuzuarit Shala nuk duhet t’i falet besimi, ngase bie në kundërshtim me provat materiale dhe se është vërtetuar që i akuzuari natën kritike ka qenë në shtëpinë e të ndjerit H.P.

Tutje, Gecaj ka thënë se nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari Shala ka pasur pozitë udhëheqëse natën kritike dhe se nga provat e administruara është vërtetuar se janë formuar elementet e veprës penale, e cila i vihet në barrë.

Prokurori Gecaj, ka propozuar që Shala të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, ndërsa si rrethanë lehtësuese me rastin e marrjes së dënimit të merret gjendja familjare dhe ekonomike e të akuzuarit. Kurse, si rrethanë rënduese ka theksuar faktin se i njëjti ka qenë i armatosur, marrjen e viktimës në orët e vona të natës në prezencë të familjes, pa arsye të vërtetuar.

E për këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Mazreku ka thënë se prokurori Gecaj me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare ka bërë ndryshim të aktakuzës, duke e cilësuar si ndryshim në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Mazreku ka thënë se Gecaj nuk ka bërë ndryshim të terminologjisë së aktakuzës, por ndryshim esencial lidhur me gjendjen faktike dhe veprimeve për të cilat akuzohet Shala.

“Në fjalën përfundimtare, aktakuzës i janë shtuar fjalët “e ka marrë peng nga shtëpia e tij në atë mënyrë”. Aktakuza fillestare ka qenë “e ka privuar nga liria”, tani këtu nuk kemi ndryshim të aktakuzës vetëm në drejtim të terminologjisë siç pretendon Prokuroria, por kemi ndryshim esencial të aktakuzës lidhur me gjendjen faktike dhe veprimeve për të cilat akuzohet i mbrojturi im”, ka thënë Mazreku.

Ai ka propozuar që të refuzohet ky ndryshim i aktakuzës dhe të vazhdohet me fjalën përfundimtare sipas aktakuzës që është zhvilluar i tërë procesi.

Lidhur me këto pretendime, prokuroi Gecaj ka thënë se me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare në dispozitiv është bërë vetëm precizimi i terminologjisë sipas vërejtjeve që ka dhënë Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme dhe se ky dispozitiv i aktakuzës është parashtruar në fillim të këtij gjykimi dorëzuar me parashtresën e 24 qershorit 2020.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka refuzuar propozimet e avokatit Mazreku, me arsyetimin se nuk bëhet fjalë për ndryshim të aktakuzës, por për përmirësim të terminologjisë.

“Në këtë rast, trupi gjykues vlerëson se nuk bëhet fjalë për ndryshimin e aktakuzës, por për ndryshime të cilat nuk ndryshojnë esencën e akuzës, është fjala për përmirësime, përshtatjes së përshkrimit të aktakuzës me detaje të reja në drejtim të përmirësimit të terminologjisë të cilën e njeh Ligji Penal dhe Konventa e Gjenevës”, ka thënë gjykatësja Elezi.

Ndryshe, në këtë seancë fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Zenel Përteshi, avokati Asdren Hoxha, ku të njëjtën e ka dorëzuar me shkrim për palët në procedurë.

Hoxha ka mbështetur fjalën përfundimtare të prokurorit Gecaj, ndërsa gjatë elaborimit me gojë të fjalës së tij përfundimtare, ka thënë se nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari Shala ka qenë në fshatin Duhël në kohë të luftës dhe në shtëpinë e të ndjerit H.P.

Ai tha se deklaratës së dëshmitarit Agron Përteshit, djalit të të ndjerit H.P duhet t’i falet besimi, i cili kishte deklaruar se të akuzuarin Shala e kishte njohur para natës kritike dhe se atë natë e kishte parë të njëjtin pa maskë dhe të armatosur në oborrin e shtëpisë së tij.

Në fund, Hoxha ka kërkuar që i akuzuari Shala të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Gjykatësja Elezi seancën e sotme e ka ndërprerë me kërkesën e avokatit Mazreku për përgatitje të fjalës përfundimtare, me pretendimin se Prokuroria ka bërë ndryshime esenciale të aktakuzës.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 22 qershor 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme, kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën H.P.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, A.P, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.