Prita në bjeshkët e Pashtrikut dhe rënia e 41 luftëtarëve të UÇK-së
Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (2)
“Armiku nuk fle”, thotë populli. Ai në çdo kohë përgjon, ruan dhe pret çastin fatal. Kështu që në orët e para të mëngjesit të 13 dhjetorit, pjesëtarët e Ushtrisë Jugosllave të Korpusit të Prishtinës, përkatësisht të Brigadës 549 të Motorizuar (kolonel Božidar Delić-komandant), me uniforma të bardha ushtarake dhe kamuflazh (lara-lara) ishin nisur në aksion nga karakolli në Planej (Prizren). Dëbora ishte deri në gjunjë, nëpër të cilën forcat armike kanë ecur shtegut rreth 18 kilometra deri te karakolli në Liken. Aty kishin vendosur pritën për 24 orë.
Ata ishin të pajisur me armë të këmbësorisë: Pushkë automatike, pushkomitroloz (PKT), bomba dore, fishekë të shumtë e të tjera pajisje ushtarake. Gjithashtu, në këtë pritë kishin vendosur dy mina me aktivizim të largët nëpërmjet kabllos dhe elektroimpulsave. Prita kriminale serbe ishte vendosur 710 metra mbi nivelin e detit, në një hapësirë të gjatë prej 1150 metrash, në mënyrë taktike dhe në tri drejtime, me qëllim që të kenë mundësi veprimi në të tria anët. Pra, duke u pozicionuar forcat ushtarake prapa vendeve shkëmbore dhe të paarritshme për luftëtarët e UÇK-së.
Kjo fotografi dëshmon në vendin e ngjarjes mbetjet e kavanozave të konservuara që kanë përdorur për ushqim forcat armike gjatë qëndrimit 24 orësh në pritën e Pashtrikut
Në anën tjetër të kufirit shqiptar, më 12 dhjetor 1998, në mbrëmje nga fshati Vlahën fillon bartja e ushtarëve në grupe me automjetin ushtarak “Pinzgauer” për t’u bashkuar me pjesën tjetër të bashkëluftëtarëve në Cahan të Hasit. Këtë natë, nëpër rrugën e paasfaltuar Vlahën-Krumë-Cahan janë transportuar ushtarët e UÇK-së: Sadri Krasniqi, Rrahman Tafa, Hyzri Musliu, Veli Ballazhi, Bajram Gashi, Azem Suma, Emrush Behluli, Vebi Mici, Baki Rashiti, Avni Shiti, Aziz Amrushi, Bashkim Krasniqi, Ylber Spahija, Mehmedali Ballazhi, Ramadan Elshani, Qamil Olluri, Hazir Murati, Avni Rizani, Rifat Mujota, Samet Ballazhi, Idriz Hysenaj, Afrim Musliu, Xhavit Krasniqi, Xheladin Xheladini, Selajdin Krasniqi, Hafir Bajrami, Bedri Hysenaj, Bashkim Beqaj, Beqir Luma, Nusret Musliu, Hyzri Salihaj, Enver Krasniqi e të tjerë. Atë natë, për shkak të fluksit të madh të ushtarëve, në bazën ushtarake në Cahan, një pjesë e ushtarëve kanë fjetur nëpër çantat e tyre, madje ka pasur edhe të atillë që për ta bërë një sy gjumë kanë fjetur njëri mbi tjetrin në pllaka të qeramikës. Me gjithë këto kushte të rënda, në mëngjes zgjohen të gëzuar dhe të relaksuar duke ngrënë bukën e mëngjesit. Sipas përshkrimit, pothuajse secili ushtar ishte ndier i lumtur e krenar që kishte ardhur dita për të udhëtuar në Kosovë.
Mujë Krasniqi, komandant i Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës
Pas kompletimit të pajisjeve ushtarake dhe përgatitjeve të duhura për udhëtimin e gjatë, më 13 dhjetor, rreth orës 9:30, nisën marshimin për kufi 148 luftëtarë të UÇK-së për t’u dërguar armë luftëtarëve të lirisë në Kosovë. Ky grup i madh luftëtarësh udhëhiqej nga njeriu që kishte përvojë të ngjeshur luftarake, komandant Mujë Krasniqi, i njohur me nofkën “Kapuçi”. Përndryshe ishte një nga bartësit kryesorë të luftës dhe të themelimit të UÇK-së. Përgjegjës kryesor i pararojës ishte Mahir Hasani, i cili udhëhiqte ekipin e vëzhguesve në përbërje: Nexhmedin Berisha, Bislim Muçaj dhe Qenë Qenaj. Ky grup ushtarak ka qenë në ballë të kolonës, në një largësi të caktuar përpara forcave kryesore në lëvizje, të cilët kanë pasur për detyrë t’i ruajnë këto nga goditjet e befasishme të armikut. Po ashtu, t’i sulmojnë forcat armike kudo që takojnë dhe t’u sigurojnë forcave kryesore kushte të përshtatshme për luftim. Ndërkaq, përgjegjës i praparojës ishte Xhemshit Krasniqi, i cili ka pasur për detyrë të qëndrojë prapa trupave kryesore ushtarake në marshim në një largësi të caktuar dhe t’i ruajë e t’i sigurojë ato nga sulmet e befasishme të armikut.
Pashtriku – Bjeshkët jugore të Kosovës (afër Prizrenit) me lartësi mbidetare 1988 metra
Grupi i pararojës është shoqëruar deri te Stanet edhe nga pjesëtarë të logjistikës së UÇK-së: Gëzim Cahani, Qamil H. Cahani, Agron E. Cahani dhe një person tjetër.
Gjatë kësaj kohe Nuri Bexheti “Hoxha” me kamerën e sjellë nga Zvicra bënte xhirimin e karvanit të ushtarëve që udhëtonin nga Cahani i Shqipërisë, nëpër bjeshkët e Pashtrikut, që t’i bashkohen luftës për çlirim në Kosovë. Herë pas here për të xhiruar e ndihmonte edhe ushtari Ilir Popaj.
Planifikonin në fillim që të shkojnë deri në Lubizhdë të Hasit, ku duhej t’i prisnin kamionët që do t’i transferonin në fshatin Kleçkë të Lipjanit, prej nga gjithkush nga grupi do të shkonte në zonën e vet operative. Megjithëse ishte dimër i vështirë dhe mjaft sfidues, çdonjëri nga ushtarët ndihej i entuziazmuar dhe kishte vullnet e moral shumë të lartë. Distanca ndërmjet ushtarëve në kolonë ishte një metër dhe çdo informatë e rëndësishme që duhej të përcillej te shoku shkonte në mënyrë zinxhirore me një prekje të lehtë në shpinë përçohej tutje mesazhi deri në fillim të kolonës dhe anasjelltas. Për çështje sigurie, të gjithë ushtarëve në krahun e majtë u ishte vendosur një shirit i verdhë nga fosfori që ndrit në errësirë. Ky shirit kishte për qëllim identifikimin më të lehtë të ushtarëve të këtij eshaloni në rast të ndonjë sulmi të befasishëm nga forcat armike. Ndërkaq, në xhepin e majtë të xhaketës ushtarake u ishte vendosur nga një fashë për ndihmë të parë në rast nevoje. Secili ushtar i UÇK-së kishte mbi shpinë rreth 40 kg me pajisje të ndryshme ushtarake duke filluar nga pushkët automatike A47, mortaja 500-she, mina kundërtanke, pushkë snajperë “Sig Sauer”, minahedhës 62 mm, raketahedhës dore “Zola”, bomba dore, pistoleta automatike “Skorpion”, fishekë, lëndë plasëse tritol, uniforma ushtarake e tjerë. Ky ishte grupi i parë i ushtarëve çlirimtarë që është pajisur me armatimin më modern dhe të avancuar të kohës. Gjithashtu, ishte një ndër grupet më të mëdha që hynin në Kosovë me ushtarë që kishin përvojë ushtarake nëpër vija të frontit. /Epokaere/ GazetaePrizrenit.net/