25-11-2024

Priten edhe aktakuza të tjera për gjykim në mungesë

Pas dy aktakuzave që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur për gjykim në mungesë, tashmë ky institucion i drejtësisë pritet që shumë shpejt të ngrehë edhe aktakuza të reja në mungesë që kryesisht kanë të bëjnë me rastet e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, por edhe krime të tjera lufte të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në vend.

Kështu ka deklaruar udhëheqësja e departamentit për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari e cila u shpreh se për këto aktakuza kanë arritur të sigurojnë prova relevante.

Prokurorja Hajdari theksoi se aktualisht i ka në përgatitje tri aktakuza në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës.

“Do të kemi aktakuza të tjera sepse kemi raste në të cilat janë krijuar dhe përmbushur kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë… Nuk mund të precizoj numrin, por janë disa raste unë personalisht i kam në përgatitje edhe tri raste për dhunë seksuale gjatë luftës ku viktima ka arritur të identifikojë kryesin dhe në të cilat janë grumbulluar provat relevante për ngritjen e aktakuzës… Ka për të pasur edhe raste të tjera përveç dhunës seksuale gjatë luftës, unë dhe kolegët kemi raste të tilla të cilat pothuajse janë të gatshme për ngritjen aktakuzave në mungesë”, u shpreh ajo për KP.

Sipas saj, gjykimi në mungesë paraqet përmbushje të drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës, pasi arrihet të dokumentohet krimi i kryer.

Hajdari deklaroi po ashtu se gjykimi në mungesë ka ofruar mundësi të gjykimi edhe kur nuk sigurohet prania fizike e atyre që dyshohet se kanë kryer krimin.

Hajdari tha se me gjykimin në mungesë janë krijuar mundësi më të mëdha për ngritjen e aktakuzave për kryerësit e krimeve gjatë luftës.

Sipas saj, kjo ka qenë edhe arsyeja se pse Prokuroria Speciale ka ngritur për nga numri pak aktakuza pasi rastet janë proceduar vetëm kur është arritur sigurimi fizik i kryesit të krimit.

Udhëheqësja e departamentit për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka ngritur nevojën për shtimin e numrit të prokurorëve në këtë departament.

Sipas saj, numri prej katër prokurorëve nuk është i mjaftueshëm për procedimin e të gjitha lëndëve që kanë në dispozicion.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti dy aktakuza në mungesë kundër të pandehurve Ç.A. dhe D.R. – të dyshuar për krime lufte në Kosovë, gjatë vitit 1999.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civilë, dhunuar seksualisht 20 mijë gra e burra, ndërkaq ende mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur me forcë.

Asnjë koment

Comments are closed.