02-11-2024

Prizren: 15 muaj burg për ish-drejtorin e BPB-së, që pranoi fajësinë për keqpërdorim pozite

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, e ka dënuar me 15 muaj burg, ish-drejtorin e Bankës për Biznes në Prizren, Armend Ibrahimi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësja, Ajser Skenderi, pasi që i akuzuari paraprakisht ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatëses Skenderi, në dënimin me burgim prej 15 muajve, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 2 shtator 2019, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Prokurori i rastit, Metush Biraj, ka thënë se i akuzuari Ibrahimi, pas konsultave me mbrojtësin e tij, avokatin Skender Morina, pas negocimit ka lidhur marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Ai tha se qëndron në tërësi pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se sipas tij, e njëjta është lidhur në përputhje të plotë me kushtet e parapara ligjore, duke kërkuar nga gjykata që ajo të aprovohet.

Prokurori Biraj, para leximit të aktakuzës, ka bërë përmirësimin e siç tha ai, të një gabimi teknik, ku përveç të dëmtuarve tjerë në propozimin e aktakuzës ka shtuar edhe Bankën për Biznes, si palë të dëmtuar, ku sipas tij, edhe në dispozitivin e aktakuzës banka figuron si e dëmtuar.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Morina, ka thënë se marrëveshja për pranimin e fajësisë, e lidhur mes palëve në procedurë, është bërë në formën e caktuar ligjore.

Avokati Morina, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e shqiptimit të dënimit të ketë parasysh rrethanat letësuese, gjendjen familjare ekonomike, pendimin e thellë dhe gjendjen shëndetësore të të akuzuarit, duke kërkuar që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më të butë.

Gjykatësja Ajser Skenderi, të dëmtuarit i ka udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari është obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor 100 euro, dhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Ndërsa, sipas saj, paraburgimi për të akuzuarin Ibrahimi, do të vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

I akuzuari Ibrahimi, fillimisht është ngarkuar me veprën penale të shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit, nga neni 339, paragraf 3 të KPK-së.

Mirëpo, prokurori Metush Biraj, ka bërë rikualifikimin e veprës penale, duke marrë parasysh ligjin më të favorshëm për të akuzuarin, ku atë e ka ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Për më tepër, në këtë rast, akuzoheshin gjithsej shtatë persona, mirëpo ndaj pesë prej tyre, Armend Ibrahimi, Fadil Gashi, Orhan Fetahu, dhe Teuta Demiri, ishte veçuar procedura, ndërsa me 15 mars 2019, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Vlera Besimi dhe Besnik Gërmizaj, pasi prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tyre.

Ndërsa, më 11 tetor 2019, Gjykata Themelore në Prizren, po ashtu ka shpallur aktgjykim refuzues edhe ndaj Dardania Susurit, pasi që prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj saj.

Mirëpo, pas sigurimit të prezencës të të akuzuarit Armend Ibrahimi, përmes fletërreshtimit ndërkombëtar, është caktuar shqyrtimi fillestar ndaj tij.

Sipas shkresave të lëndës, i akuzuari Ibrahimi, ishte ndaluar në Poloni, më 2 shtator 2019, ndërsa është ekstraduar në Kosovë, më 9 janar 2020.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur në maj të vitit 2014, ndaj Armend Ibrahimit, Fadil Gashit, Orhan Fetahut, Dardania Susurit, Teuta Demirit, Besnik Germizaj dhe Vlera Besimit, të njëjtit i ngarkon me veprat penale të “shpërdorimit të pozitës zyrtare”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Armend Ibrahimi, si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Bankës për Biznes (BPB), dega në Prizren, në tetorin e vitit 2010, në kundërshtim me procedurat ligjore, i obligon tani të akuzuarit Dardania Susuri, Teuta Demiri, Vlera Besimi dhe Besnik Gërmizaj, që të bëjnë përgatitjen e dokumentacionit për dhënien e kredive për 26 punëtorë të kompanisë “Dili Comerce” në Prizren, pronë e të pandehurit Fadil Gashi, për shkak se punëtorët qenkan larg në terren, e nuk kanë mundësi për të shkuar, më pas duke e marr sasinë e konsiderueshme të mjeteve, me të cilën sipas akuzës, i shkakton dëm material të dëmtuarës (BPB), shumën prej 264.000 euro.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, Armend Ibrahimi, Fadil Gashi dhe Orhan Fetahu, me qëllim për t’i sjellin vetes apo personit tjetër dobi pasurore, i mashtrojnë personat tjerë me anë të paraqitjes së rreme, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, të njëjtit i bindin 26 punëtorët e kompanisë “Dili Comerce”, që ata të aplikojnë me nga 10 mijë euro kredi, me pretekst se këto kredi do të paguhen dhe garantohen me kolateral nga i akuzuari Fadil Gashi, i cili sipas akuzës nuk i ka kryer këto pagesa, me këtë duke i dëmtuar të dëmtuarit pasi që ata u obligonin që t’i përgjigjen bankës.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit, nga neni 261, paragrafi 1, e lidhur me nenin 23 të KPK.

Po ashtu, sipas akuzës, të pandehurit Ibrahimi, Gashi dhe Fetahu, akuzohen se kanë përpiluar dokumente të falsifikuara dhe me dije i kanë përdorur si origjinale, pasi që pa qenë fare prezent punëtorët e kompanisë “Dili Comerce”, në emër të tyre i kanë përpiluar, nënshkruar dhe vulosur kontratat e punës, me vulën e kompanisë në fjalë, pronë e të pandehurit Fadil Gashi.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryet veprën penale të falsifikimit të dokumentit nga neni 332 par 2 të KPK.

Në aktakuzë thuhet se, Dardania Susuri, Vlera Besimi, Teuta Demiri dhe Besnik Gërmizaj, të njëjtit si persona zyrtarë, në maj të vitit 2010, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që në kundërshtim me procedurat kanë bërë hapjen e xhirollogarive të dëmtuarve, pa bërë analizat e duhura, kanë kompletuar dokumentacion përkatës për lëshim të kredive, pa qenë fare prezent të dëmtuarit, si dhe pa komunikuar me aplikuesit (në këtë rast të dëmtuarit), me këtë i shkaktojnë dëm material Bankës për Biznes (BPB-së), dega në Prizren në shumën prej 264.000 euro.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryetari kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 339 par 3 e lidhur me nenin 23 të KPK. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.