Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, drejtoreshë ekzekutive, së bashku me drejtorin mjekësor, Dr. Hasan Arzoallxhiu, drejtorin e Infermierisë, Bsc. Fevzi Xhemali, dhe drejtorin e Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta, Msc. Sami Ahmetaj, kanë vizituar Shërbimin e kardiologjisë intervente – laboratori i kateterizimit, raporton Gazeta e Prizrenit.
Dr. Fazli Berisha, shef i Koronares dhe përgjegjësi i Kardiologjisë Intervente, stafin menaxherial e ka njoftuar për ecurinë e punës, shërbimet e ofruara dhe intervenimet e kryera nga data 14 qershor 2024, kur është bërë hapja, përkatësisht inaugurimi i Shërbimit të Kardiologjisë intervente – laboratori i kateterizimit.
“Nga data 14 qershor 2024 në Shërbimin e kardiologjisë intervente janë kryer 34 koronografi, 12 stendime, prej tyre 5 raste akute, ndërsa gjatë ditës së sotme janë kryer 4 raste elective dhe në trajtim është një rast akut. Të gjitha rastet janë kryer me sukses dhe nuk ka pasur komplikime të pacientëve të trajtuar”, tha dr. Berisha, përcjell PrizrenPress.
Drejtoresha ekzekutive ka biseduar edhe me pacientët e hospitalizuar në Shërbimin e Kardiologjisë invasive, ndërsa ka falënderuar stafin e spitalit dhe ekipet nga QKUK për punën, angazhimin , përkushtimin dhe ofrimin e shërbimeve për pacientë, duke ofruar mbështetjen dhe përkrahjen, me qëllim të ofrimit sa më të mirë dhe ngitje të cilësisë së shërbimeve për pacientë.
Për funksionalizimin e Shërbimit të Kardiologjisë intervente – laboratori i kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa” në Prizren, Ministria e Shëndetësisë/ShSKUK-së për planin arkitekturor, punët infrastrukturore, materiali shpenzues dhe medikamentet e nevojshme kanë investuar rreth 1 milion euro, kurse Qeveria e Luksemburgut për sigurimin e pajisjeve mjekësore të nevojshme për funksionalizim e këtij shërbimi, inventarin jomjekësor (mobilimi) dhe trajnimet profesionale të stafit brenda dhe jashtë Kosovës ka investuar 2 milion euro./ Gazeta e Prizrenit