22-11-2024

Prizren: A po përpiqet komuna të ndërhyjë politikisht në KF “Liria”?

Opozita prizrenase e ka kritikuar drejtorin e ri për Kulturë, Rini e Sport (DKRS) në Prizren, për siç është thënë ndërhyrje dhe interferime në krijimin e klaneve, kundër bordeve të klubeve sportive në Prizren, madja duke bërë edhe zhagitjen e fillimit të procedurës për zbatimin e projektit “Politikat zhvillimore për sport e kulturë në komunë, por që akuzat mohohen nga drejtori, Ehat Oreshka.

Njoftohet se që dy muaj, anëtarët e KF “Liria” nuk kanë marrë pagat.

Shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj, tashmë në opozitë ka kritikuar Oreshkën se nga momenti kur mori detyrën, ka treguar neglizhencë në bashkëpunim me KF “Liria”, ndërsa mundohet vazhdimisht të ndikoj në politikat udhëheqëse të klubeve sportive të komunës, raporton “Gazeta e Prizrenit”

“Në fillim të mandatit, bëri interferime, kërkoi që në shkollën e futbollit “Liria” të shpërblehet si koordinator i shkollës, një shok i tij nga partia, NISMA, duke arritur ta bëj. Në të kundërtën të jep të kuptosh, se nuk të përkrah me financa”, tha ai.

Sipas Baldedajt, pikërisht Oreshka me grupin e tij janë njerëzit, që më 2008 e privatizuan “Lirinë” në mënyrën më të egër, dhe tani pas 10 vitesh përsëri po kërkojnë një gjë të tillë. Kaluan disa muaj të vitit 2018,  qëllimisht po e prolongon fillimin e procedurës për zbatimin e projektit “Politikat zhvillimore për sport e kulturë në komunë”.

Ai e ka kritikuar edhe për emërimin e Gëzim Hasit, si koordinator i shkollës së futbollit.  Njoftohet se kjo është bërë pa konkurs, në vend të Lulzim Ibrit, që po ashtu kishte shkuar pa konkurs.

Në anën tjetër, drejtori Oreshka i vlerëson kritikat si çështje të opozitës. Duke u përgjigjur në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, ia mohoi të ketë ndërhyrje politike në bordin e Lirisë.

Sa i përket shkuarjes së Hasit, Oreshka tha se ai ka një kontribut dhe ka luajtur futboll më shumë se sa ka moshë Baldedaj.

Ndërkaq, burime brenda “Lirisë”, me kusht anonimiteti i thanë “Gazetës së Prizrenit” se është ndërhyrje tipike nga DKRS, që ndër tjera po bën presion mos me përkrah Bordin aktual, ndonëse ka një vendim të Asamblesë Komunale,  prej 2013 e këndej për përkrahjen e Lirisë, Bashkimit e Teatrit.  “DKRS po i vonon procedurat dhe madje po kërkojnë mbajtjen e Kuvendit të klubit, para kohe. Po thuhet se DKRS po insiston të mbahet tash në qershor, dhe  që kuvendi  të jetë  zgjedhor, edhe pse sipas statutit, ai duhet mbajtur në janar apo shkurt 2019”, tha burimi.

Për këtë thuhet se është njoftuar edhe vetë kryetari, Mytaher Haskuka.

Sipas burimit, Liria ditë më parë përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar takim me kryetarin, kryesuesin e drejtorin e DKRS-së për ta zgjidhur problemin, por nuk ka përgjigje.

Ndryshe,  Federata e Futbollit të Kosovës, e sidomos FIFA e UEFA, e dënojnë ndërhyrjen politike në sport.

Asnjë koment

Comments are closed.