Prizren: Administrohen provat e propozuara nga mbrojtja në gjykimin për rastin e të akuzuarve për hekurudhën
Në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e së premtes, janë lexuar provat e propozuara nga mbrojtja e po ashtu është aprovuar propozimi, që të dëgjohen si dëshmitarë dy hartuesit e raportit të vlerësimit të dëmit ndaj Infrakos-it.
Për këtë rast të korrupsionit, po akuzohen Agron Thaçi, ish-kryeshef ekzekutiv i Infrakos-it, tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxheri dhe bashkëpunëtori profesional të “Infrakos”-it, në Prizren, Naim Avdyli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancat e kaluara, më 22 dhe 23 shkurt 2022, ishte propozuar një raport financiar që të përcaktohet dëmi i shkaktuar ndaj Infrakos-it.
Në seancën e sotme, fillimisht përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar Infrakos, Ruzhdi Morina, gjykatës i dorëzoi raportin me shkrim të 31 marsit 2022 dhe shtoi se rasti “Breu Petrol” nuk është përfshirë në vlerësimin e dëmit, për shkak se nuk është arritur identifikimi në terren i objektit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Nerjovaj, avokati Blerim Mazreku deklaroi se në raportin me shkrim, vërehen disa tabela ku janë paraqitur disa llogaritje, por që nuk përmbajnë emrin e personit që ka përpiluar këto tabela e as pozita e tij në Infrakos.
Po ashtu, tha se është përmendur se janë filluar 7 procedura kontestimore, por nuk janë përmendur se ndaj kujt kanë filluar këto procedura dhe kërkoi nga përfaqësuesi i Infrakos-it që të jap sqarime lidhur me vërejtjet e tij.
Ndërsa, përfaqësuesi Morina deklaroi se përpilues i raportit është Nexhmi Rama- drejtor i Departamentit dhe Ismet Sahiti- menaxheri sektorit të mirëmbajtjes së linjave hekurudhore.
Tutje, ai theksoi se gjatë vizitës në terren të njëjtit janë shoqëruar nga bashkëpunëtori profesional për pronë Sami Mjeku dhe nga ai (Ruzhdi Morina).
Ndërsa, prokurori Genc Nixha deklaroi se kur është kërkuar vlerësimi i dëmit, është kërkuar dëmi që iu është shkaktuar hekurudhave, ku është cekur që të precizohet dëmi i shkaktuar në secilin objekt, për të cilën është dhënë leja për ndërtim, pra nga veprimet e të akuzuarve.
Ndërsa, përfaqëruesi Morina, deklaroi se përpiluesit e raportit janë inxhinierë dhe jo juristë dhe se askush nuk ka të drejtë që të ndërhyjë në raportin e tyre.
Sipas tij, raporti është bërë në mënyrë korrekte për aktakuzën në fjalë e që prokurori më tutje gjatë shqyrtimit kryesor mund të kërkojë personalizim të dëmit për secilin të akuzuar.
Tutje, në seancën e shqyrtimit kryesor, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha ka aprovuar propozimet e provave të mbrojtësit të të akuzuarit Agron Thaçi, avokatit Skender Morina, të mbrojtëses së të akuzuarit Naim Avdyli, avokates Bahrije Besimi, të mbrojtësit të të akuzuarit Visar Islamaj, avokatit Granit Vokshi, e të cilat prova u administruan në këtë gykim.
Po ashtu, prokurori Nixha propozoi që si provë të lexohet edhe raporti për shkaktimin e dëmit me nr.323, të 31 marsit 2022, e që kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha aprovoi të njëjtin propozim.
Tutje, gjykatësja Krusha kërkoi nga prokurori i çështjes që të sigurojë lejet e ndërtimit të lëshuara nga ana e të akuzuarit Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu dhe Visar Islamaj dhe të gjitha dokumentet e plotësuara, të cilat ndërmerren me rastin e lëshimit të lejes.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Islamaj, propozoi që të ftohen si dëshmitarë hartuesit e raportit të vlerësimit të dëmit Nexhmi Rama dhe Ismet Sahiti, në seancën e radhës për të dhënë sqarime rreth raportit të punuar nga ta, i cili propozim u aprovuar nga trupi gjykues.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme përfundoi dhe e radhës do të vazhdojë më 22 prill 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaçit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaqi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka, më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj, më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi, më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspekcion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë edhe përkundër konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.
Ndërkaq, i akuzuari Thaçi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, thuhet se nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në nenin 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë
/ Gazeta e Prizrenit /