25-04-2024

Prizren: Aksioni kundër parave false, rreth 2.700 euro monedha metalike të sekuestruara

Një aksion i Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren kundër parave false, i zhvilluar gjatë ditës së djeshme rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar dhe sekuestrimin e mbi 1 mijë e 700 euro. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se dy të dyshuarit që u arrestuan janë Besim Dogani 53-vjeçar dhe Tamer Koro 45-vjeçar.

Të njëjtit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, por njëri prej tyre është riintervistuar lidhur me këtë rast, ndërkohë që janë gjetur edhe një shumë tjetër e të hollave të falsifikuara.

Kështu kanë bërë me dije burimet nga Prokuroria, me ç’rast njoftuan se vlera e parave të sekuestruara deri më tani ka shkuar në 2700 euro, të gjitha në monedha metalike prej 2 euro.

Ndryshe, aksioni u zhvillua në rrugën magjistrale Prizren-Vërmicë ku janë ndaluar dy automjete, me të cilat dyshohej se po bëhej shpërndarja e parasë së falsifikuar.

Pas kontrollit të tyre, në automjetin e parë janë gjetur: Monedha në sasi prej 850 x 2 = 1700 euro, kurse në automjetin e dytë janë gjetur monedha në sasi prej 2 X 2=4 4uro, një kallëp metalik rrethor i zbrazët i monedhës metalike dy euro (shabllon), pesë copa te vogla metalike rrethore të monedhës dy euro (shabllone) dhe katër telefona mobil.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.