Prizren: Aktakuzë kundër dy shtetasve të Shqipërisë për kontrabandim me migrantë
Sipas aktakuzës, më 10.11.2019, rreth orës 02:15 në Prizren, është vërtetuar se të pandehurit L.B., dhe A.R., në bashkëkryerje merren me kontrabandim të migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, në atë mënyrë që derisa zyrtarët e policisë kufitare të pikë kalimit kufitar në Vërmicë, ishin në kryerjen e detyrës zyrtare, përmes vëzhgimit me dylbi në vendin e quajtur ‘’Foleja e Shqiponjës’’ në afërsi të krojeve të fshatit Vërmicë, kanë vërejtur një grup njerëzish duke kaluar ilegalisht kufirin nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës.
“Të pandehurit së bashku me grupin e personave të tjerë janë ndalur nga ana e Policisë Kufitare, si dhe pas verifikimit nga zyrtarët policorë është vërtetuar se të njëjtit ishin shtetas të huaj nga Republika e Sirisë, të cilët më pas, së bashku me dy të pandehurit e lartpërmendur janë shoqëruar në stacionin policor në Vërmicë”, njofton Prokuroria.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit L.B., dhe A.R., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë. /GazetaePrizrenit.net