Prizren: Analizohen telefonatat e të akuzuarve në rastin e vrasjes së Abedin Bytyqit
Janë dhënë propozime të reja lidhur me ekspertizën e listingjeve të telefonave të të akuzuarve në rastin e vrasjes së tanimë të ndjerit Abedin Bytyqi, që kishte ndodhur më 6 tetor 2016, me të cilën janë ngarkuar Murat Ademi, Resmije Bytyqi, Fadil Fetiu dhe Reshat Ademi.
Në seancën e sotme është dëgjuar eksperti Fatbardh Dragusha
Fillimisht para dëgjimit të ekspertit, mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Fetiu, avokat Sefer Morina deklaroi se nga ekspertiza e bërë nga ana e ekspertit Fatbardh Dragusha ka rezultuar se në CD-të janë listuar thirrjet për numrin e Murat Ademit dhe për një numër tjetër të panjohur, dhe përderisa në listing nuk ka pasur të dhëna për numrin e telefonit të Fadil Fetiut, e për këtë edhe nuk kanë pyetje për ekspertin.
Pas kësaj, është vazhduar me pyetje drejtë ekspertit i cili deklaroi se në listë për ekspertizë kanë qenë dy numra të telefonit e për këtë numra edhe ekzistojnë detajet e thirrjeve dhe lokacioneve ku janë realizuar thirrjet, dhe vetëm për numrat e cekura ku është përcaktuar për t’u gjetur lokacioni i thirrjeve, nga ana e gjykatës vetëm për të është përcaktuar lokacioni ndërsa për numrat tjerë jo.
Eksperti tha se i është dorëzuar vetëm një CD ku në të janë 3 fajlla, 2 fajlla me listing dhe një fajl me interpretim.
Ai tha se për të bërë lokacionin e numrave tjerë, duhet lëshuar urdhëresë siç e përcakton ligji, qoftë përmes Prokurorit apo Gjykatës qe përmes kompanisë telefonike të merret listingu e për këtë ne duhet të konsultohet ligji pasi që periudha është për 5 vite e duhet të shikohet se a janë ruajtur apo jo.
Tutje eksperti deklaroi se nëse listingu i një numri është në format fizik mund të përcaktohet analiza sikurse analiza e numrave paraprak, mirëpo koha mund të jetë më e gjatë për përpunimin e të dhënave.
Pas kësaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Blerim Mazreku kërkoi nga gjykata që të lëshohet CD me nr. 6300F.F-BA e dt 24.10.2016 me qëllim që të shikohet edhe njëherë nga ana e ekspertit.
Eksperti pas shikimit të CD-së për nr. +386492… deklaroi se i njëjti numër është i të akuzuarit Fadil Fetiu e për këtë numër edhe mund të bëhet analiza përkatëse për përcaktimin e lokacionit.
Prokurori i Shteti, Genc Nixha, propozoi që si plotësim i ekspertizës të futet edhe numri i Fadil Fetiut si dhe të jipet hartografia për këtë numër. Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Blerim Mazreku propozoi që gjykata të nxjerrë urdhëresë për telefonit mobile në Kosovë për sigurimin e listingjeve edhe për numrat 044-159-… dhe 049-159… të cilët kanë qenë në pronësi të Resmije Bytyqi në kohën e kryerjes së veprës penale e po ashtu edhe për nr. 049-598… i cili ka qenë në pronësi të Reshat Ademit.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani ka aprovuar propozimet e prokurorit dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar.
Pas kësaj, shqyrtimi i sotëm ka përfunduar dhe i njëjti do të vazhdojë më 7 tetor 2021 në ora 10:00.
Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi, kurse Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.
Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019 ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.
Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.