29-04-2024

Prizren: Dënohet me burgim të përjetshëm Bajram Veliaj, vrau bashkëshorten me 15 plumba

Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me burgim të përjetshëm, Bajram Velijajn, i akuzuar për vrasjen e  bashkëshortes, A.A me 14 plumba në gusht të 2019-ës.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të premten nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Velija gjithashtu ngarkohet me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 1000 euro, si dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

E njëjta i njoftoi palët se kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A.A.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e cila dënohet me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve për të cilën është paraparë dënimi me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet

Ndryshe, i pandehuri Velija gjendet në paraburgim që nga 6 gushti i vitit 2019. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.