24-11-2024

Prizren: Ankesa për mbeturinat skaj rrugës që çon në fshatin Novoselan

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësi për mbeturinat e hedhura skaj rrugës që shkon nga lagja Kurillë  në fshatin Novoselan të Prizrenit.

Për zgjidhjen e këtij problemi ata janë ankuar në platformën Ndreqe.com, transmeton Telegrafi.

Në këtë platformë, muaj më parë, ata kanë shprehur qëndrimin se kjo pjesë po kthehet në deponi ilegale mbeturinash dhe se Komuna nuk ka ndërmarrë veprime.

Për këtë rast, Telegrafi ka kontaktuar udhëheqësin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj, i cili ka theksuar se organet komunale janë në pritje të përzgjedhjes së operatorit ekonomik për intervenime emergjente të kësaj natyre.

“Komuna e Prizrenit aktualisht nuk ka kontratë aktive për intervenime emergjente për pastrimin e deponive ilegale. Procedurat e prokurimit për këtë lloj kontrate janë iniciuar dhe porsa të nënshkruhet kontrata me operatorin e përgjegjshëm do të intervenohet për largimin e deponive ilegale. Njëherësh i bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të përgjegjshëm dhe mos ta ndotin mjedisin me hedhjen e mbeturinave në vende jo-adekuate”, ka thënë drejtori i DSHP-së, Çelë Lamaj.

Asnjë koment

Comments are closed.