21-11-2024

Prizren: Arrestohen dy persona për dro*gë, njëri ishte dënuar me rreth 4 vjet për grabitje

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Për një rast të tillë, kanë rënë në pranga edhe dy persona në komunën e Prizrenit, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë: Luan Bytyqi dhe Flamur Berisha.

Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor, Bytyqi është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit, pasi kërkohej për grabitje, ndërsa Berisha është ndaluar për 48 orë.

Luan Bytyqi kërkohej nga qershori i vitit 2022 pasi bashkë me tre persona të tjerë nën kërcënimin e armës, kanë arritur që të marrin nga arka rreth 600 euro, në marketin ‘Lanti-B’, në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren.

I gjithë plani për grabitjen atë kohë ishte menduar mirë dhe ishte thurur me kujdes nga të dyshuarit, ku secilit i ishte ndarë një rol i veçantë se çfarë duhet të bëjë gjatë ‘aksionit’.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Gazeta Sinjali pati raportuar ekskluzivisht nga burimet e veta, se gjatë grabitjes rolin e klientit i cili hyn paraprakisht në market për të vëzhguar situatën, e kishte pikërisht Luan Bytyqi.

Bytyqi kishte blerë një produkt që ndodhej tek arka dhe ishte larguar që aty, për të njoftuar shokët e tij se ‘terreni’ është i lirë dhe mund të kryhej grabitja.

Bytyqi për veprën penale Grabitje kryer në bashkëkryerje ishte dënuar me tri vjet e gjashtë muaj burgim dhe dënim me gjobë prej 2 mijë eurove.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.