25-11-2024

Prizren: Arrestohet një i dyshuar, mashtrim rreth punësimit kundrejt 10 mijë eurove të familjarit në spital

Rastet kur kosovarët përfitojnë kundërligjshëm shuma të majme parash duke mashtruar nuk janë të rralla. Ndonëse arrijnë të kapin para, të tilla veprime i fusin në telashe me ligjin. Përfitimi financiar me premtime boshe se në këmbim të parave mund të sigurohet një vend pune në një institucion publik, i ka kushtuar me arrestim një 34-vjeçari në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.  

Hetimi disa mujor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, me aplikimin e masave të fshehta, ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit, i cili duke përdorur forma mashtruese ka arritur të përfitojë rreth 10 mijë euro.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se E.L., po dyshohet se ka përfituar mijëra euro, të cilat i ka marrë disa herë në shuma të ndryshme, duke e mashtruar një qytetar në Prizren me premtimin se do t’ia punësojë një anëtar të familjes në spitalin rajonal të këtij qyteti.

Viktima, që ishte bindur se me dhënien e këtyre parave do t’i punësohej familjari, e kishte raportuar rastin në Polici qysh në muajin shtator, pasi kishte dyshuar se po mashtrohet nga i dyshuari të cilit ia ka dhënë paratë në disa pjesë që nga muaji prill i vitit 2021.

Derisa premtimi s’po realizohej, ai kërkoi ndihmë nga Policia, me ç’rast nisën hetimet për kapjen e të dyshuarit. Hetimet Rajonale në Prizren arritën ta kapnin të dyshuarit gjatë ditës së sotme dhe më pas i njëjti u shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Në anën tjetër, me urdhëresë të lëshuar nga Gjyqtari i procedurës paraprake, Policia ka kryer edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit. Me t’u përfunduar aksioni, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, sipas Kodit Penal, “kushdo që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet ose në çfarëdo mënyre tjetër mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë e nxit një person që të kryej apo të mos kryej një veprim, i cili rezulton në dëm material të pasurisë së tij/saj apo të pasurisë së personit tjetër ose rezulton në dobi pasurore të kundërligjshme, për veten apo personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.

Asnjë koment

Comments are closed.