Prizren: Gjykimi ndaj ish-rektorit Vataj, aprovohen propozimet e palës së dëmtuar për dëgjimin e dëshmitarit dhe sigurimin e provës materiale

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, në gjykimin ndaj ish- rektorit, Ramë Vataj, i dëmtuari Vehbi Miftari ka propozuar si dëshmitar Artan Dermakun dhe sigurimin e video-audio incizimeve nga mbledhja e Senatit të Universitetit “Ukshin Hoti”.

“Do të doja që të zbardhet mbledhja e Senatit të Universitetit të Prizrenit, të sigurohet video- audio incizimi i mbledhjes së Senatit, sepse aty shihet qartë se i akuzuari në mënyrë publike ka thënë se ai person nuk mund të pranohet për sa jam unë rektor e datës 13 janar 2017, njëherit propozoj që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet profesor Artan Dermaku”, ka thënë Miftari.

Këto propozime, i ka aprovuar gjykatësi i rastit, Fatmir Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, prokurori Shahadin Destani ka deklaruar se sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, ka bërë plotësimin e dispozitivit të aktakuzës sa i përket përshkrimit faktik.

Destani tha se, Vataj po akuzohet se nga 30 shtatori 2017 deri në tetor 2018, në Universitetit “Ukshin Hoti”, ka shkelur dispozitat e nenit 5, paragraf 5.1 dhe 5.2 të Ligjit mbi Inspekcionin e Arsimit në Kosovë.

Tutje, ai tha se i akuzuari Vataj nuk e ka zbatuar vendimin e Sektorit të Inspekconit në Prizren, i cili është bërë i plotfuqishëm më 30 shtator 2017, me të cilin vendim ishte urdhëruar Vataj që si udhëheqës i universitetit të rishqyrtoj konkursin e datës 1 gusht 2016.

“I pandehuri si udhëheqës kryesor i institucionit nuk e zbaton, e sipas të cilit urdhërohet Universiteti i Prizrenit të rishqyrtoj konkursin e datës 1 gusht 2016, me numër protokolli 01-236, për lëndën si në vendim; të themeloj komisionin recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat secifike të publikuara në konkurs, të garantoj respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtoj barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs dhe universiteti të përzgjedh komisionin recensues të veçantë për çdo fushë”, ka thënë Destani.

Sipas tij, me këtë vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar e as ankimuar nga Vataj, Vehbi Miftarit i është ka mohuar e drejta në punësim në kushte të njëjta me personat e tjerë pjesëmarrës në konkurs, ndërsa shtoj se në pjesë të tjera aktakuza mbetet e pandryshuar.

Plotësimin e aktakuzës, e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Vataj, avokat Labinot Vata i cili tha me plotësimin e bërë nuk është përmbushur asnjë element i veprës penale.

Avokati Vata ka thënë se sipas Ligjit për Inspekcion të Arsimit në Kosovë, në nenin 7 precizohet saktë se kushdo që nuk vepron sipas vendimit të inspektoratit dënohet me gjobë në shumën prej 500 deri në 1000 euro për institucionin, kurse për personin 50 deri 100 euro dhe i cili veprim precizohet qartë se është kundërvajtje.

Po ashtu, Vata ka shtuar se edhe Gjykata e Apelit në konstatimet e saj ka tërhequr vërejtjen se jo çdo veprim i kundërligjshëm përbën vepër penale.

Pas kësaj, i akuzuari Vataj është deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën ngarkohet.

Seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve, ku prokurori Destani, i dëmtuari Miftari, avokati Vata dhe i akuzuari Vataj kanë deklaruar se qëndrojnë në tërësi pranë fjalëve hyrëse të cilat i kanë dhënë në shqyrtimin e 2 qershorit 2021.

Në fund, i akuzuari Vataj ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj tij është politike dhe qëllimisht të bëjnë degradimin e tij.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 6 mars 2023.

Ndryshe, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e 23 gushtit 2022, e ka kthyer çështjen në rivendosje me arsyetimin se shkalla e parë nuk e kishte vlerësuar mirë të drejtën materiale

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 maj 2020, ngarkon Ramë Vatajn se nga 30 shtatori 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbatonte vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të 14 shtatorit 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e 1 gushtit 2016, me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri.

Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.

Andaj, me këtë i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, nga neni 219, par.1 dhe 2 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politike.

Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014, deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.