Prizren: Bastiset një barnatore, iniciohen raste ‘kontrabandim me mallra’ ndaj një femre
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pasi kanë pranuar një informatë se një barnatore në Prizren posedon barna pa banderola, kanë filluar veprimin në aspektin policor, raporton Gazeta e Prizrenit.
Referuar Policisë, janë gjetur 280 paketime të barnave të ndryshme, që kapin vlerën e mbi 3 mijë eurove.
“Bazuar në këto informata, janë kryer veprime hetimore, kurse sot, më 05.07.2023, së bashku me Inspektoratin Farmaceutik është kryer edhe inspektimi në ketë barnatore. Gjatë inspektimit farmacistja C.Y. (viti i lindjes 1991, femër kosovare), e cila njëkohësisht është edhe pronare e barnatores, nuk ka ofruar dëshmi për origjinën e një sasise të konsiderueshme të barnave, të cilat barna medicinale janë sekuestruar nga Inspektorati Farmaceutik.
Sasia e barnave medicinale të sekuestruara është gjithsejte 280 paketime të barnave të ndryshme medicinale, me origjinë nga Serbia, Shqipëria dhe Turqia, në vlerë prej 3200 (tre mijë e dyqind) euro”
Me rekomandim të prokurorit kompetent, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.