22-11-2024

Prizren: Çerdhja e ndërtuar në lagjen “11 marsi” nuk është funksionalizuar

Çerdhja publike në lagjen “11 marsi” nuk është funksionalizuar gjatë vitit 2020. Punët për ndërtimin e inventarizimin e saj patën përfunduar në verë të vitit të shkuar, apo siç janë shprehur autoritetet komunale një vit më herët sesa që parashihej me kontratë. Megjithëkëtë, lidershipi komunal në takimin e fundit me qytetarë ka bërë të ditur se dokumentet për regjistrimin e çerdhes me bazë në komunitet janë dorëzuar sipas modelit të Komunës së Prishtinës, por që procedura në fjalë nuk është përmbyllur në nivelin qendror.

“Kemi përfunduar ndërtimin e çerdhes një vit para kontratës. Edhe pse vitin e kaluar kemi kërkuar kode buxhetore nga Ministria e Arsimit dhe nga Ministria e Financave, nuk janë aprovuar kodet buxhetore për punëtorët e çerdhes. Prandaj, neve na është dashur ta bëjmë me komunitet. Kur kemi vazhduar procedurat me komunitet, kemi marrë gjithë dokumentacionin e Prishtinës, si e ka bërë Komuna e Prishtinës dokumentacionin, dhe janë dorëzuar në Ministrinë e Administratës Publike. Janë dorëzuar dokumentet njëjtë si në Prishtinë, por ende nuk është bërë regjistrimi i organizatës në mënyrë që ta hapim çerdhen. Edhe kjo mendoj që është faktikisht edhe një sabotim i punëve të Komunës”, ka thënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duke raportuar javën e shkuar para publikut rreth projektit të çerdhes publike në lagjen “11 marsi”.

Llogaridhënie nga ekzekutivi i Prizrenit për këtë projekt në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Prizreni ka kërkuar kuvendarja e LDK-së, Sadije Osaj-Jakupi, duke përkujtuar se para disa muajve janë pranuar me konkurs të rregullt punonjësit në këtë çerdhe. “Vendim kanë, por ende nuk kanë kontrata pune”, ka thënë ajo.

Ndërkaq dega e PDK-së, muajin e shkuar, këtë projekt e ka cilësuar si një shembull të keqqeverisjes. “Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren, duke manipuluar me qytetarët dhe fëmijët e komunës, me datë: 22.07.2020 ka hapur konkursin nr: 2792/20 për institucionin publik parashkollor në lagjen “11 marsi’’ në Prizren. Kjo çerdhe akoma nuk është funksionale, edhe pse anëtarët e stafit të brendshëm janë pranuar në punë”, ka deklaruar kuvendarja e PDK-së, Antigona Bytyqi.

Ajo ka theksuar se zyrtarët komunalë në verën e vitit të shkuar patën paralajmëruar se çerdhja publike do të fillonte punën në shtator të vitit 2020. “Është një shembull i keqqeverisjes, ngase Komuna e Prizrenit nuk e ka planifikuar fare dhe nuk ka marrë pëlqim nga MASH-i për kod buxhetor për stafin e çerdhes. 24 vendet e punës nuk kanë qenë të planifikuara dhe kjo po paraqet vështirësi në nënshkrimin e kontratave”, ka deklaruar Bytyqi, duke akuzuar lidershipin komunal për keqinformim të qytetarëve.

Komuna e Prizrenit në korrik të vitit 2020 pati paralajmëruar se kjo çerdhe do të nisë punën sipas modelit me bazë në komunitet, me fillimin e vitit shkollor në shtator. Asokohe kjo çështje pati ngjallur debat. Opozita pati theksuar se investimet në këtë projekt kapital kanë nisur për çerdhe publike dhe se po del që bëhet fjalë për kopsht me bazë në komunitet. Ilir Baldedaj i AAK-së pati thënë se nuk ka logjikë që të investohen paratë publike dhe pastaj nga prindërit të kërkohet pagesa prej 80 eurosh për një fëmijë. “Cila është arsyeja që taksat e qytetarëve të investohen në atë objekt e përsëri qytetarët të paguajnë njëjtë si në kopshtet private”, qe shprehur Baldedaj. Edhe aktivistja e shoqërisë civile, Elmedina Dorambari, pati vlerësuar se Prizreni është në rrugën e dështimit sa i përket edukimit të hershëm të fëmijëve. “Me këto politika të plogështa, grave prapë u mbetet alternativë të heqin dorë nga puna dhe t’i rrisin fëmijët e tyre”, pati deklaruar Dorambari, duke shtuar se kësisoj nuk mund të arrihet integrimi socio-ekonomik i grave.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, qe arsyetuar se orientimi i institucionit parashkollor me bazë në komunitet është bërë shkaku që MASH-i nuk ka miratuar kërkesën për personel shtesë.

“Po t’i kishim pagesat e stafit nga MASH-i, do të kishim një pagesë më të ulët”, pati theksuar Haskuka.

Komuna e Prizrenit pati njoftuar se në këtë çerdhe publike do të mund të regjistrohen 160 fëmijë të moshës 3 deri në 6 vjeç, përkatësisht 120 fëmijë në gjuhën shqipe, 20 në gjuhën boshnjake dhe 20 në gjuhën turke.

https://www.koha.net/kosove/253378/cerdhja-e-ndertuar-ne-lagjen-11-marsi-te-prizrenit-nuk-eshte-funksionalizuar/

Asnjë koment

Comments are closed.