Prizren: Çfarë solli gjykimi i sotëm për rastin “hekurudha” ndaj kryeshefit të Infrakos-it dhe ish-zyrtarëve të Prizrenit
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, i akuzuari Nijazi Kryeziu ka thënë se nuk ka qenë përgjegjës që të caktoj vijat ndërtimore të ndërtesave afër hekurudhës për dy lejet ndërtimore të cilat i kishte lëshuar.
Për këtë rast të korrupsionit, po akuzohen Agron Thaçi, ish-kryeshef ekzekutiv i Infrakos-it, tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxheri dhe bashkëpunëtori profesional të “Infrakos”-it, në Prizren, Naim Avdyli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së hënës, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Kadri Mjekiqi, i akuzuari Kryeziu ka thënë se përgjegjës për caktimin e vijës ndërtimore kanë qenë bashkëpunëtorët profesional, arkitektët dhe inxhinierët e ndërtimtarisë.
Tutje, i akuzuari Kryeziu ka thënë se plani gjeneral urban i vitit 2004 ka propozuar dislokimin e linjës hekurudhore të Komunës së Prizrenit si dhe ka vendosur dhe propozuar që kjo pjesë e qytetit ku është hekurudha të bëhet brezi i gjelbërit.
Në pyetjen tjetër të avokatit Mjekiqi, lidhur me autorizimet e tij si drejtor i urbanizmit për lëshimin e lejeve ndërtimore, Kryeziu ka thënë se nuk ka qenë kompetencë e tij që të merret me lejet e ndërtimit.
Lexo edhe:
I dënuari për keqpërdorim detyre, kryetar i Komisionit për Ankesa në Komunën e Prizrenit
Po ashtu, ai tha se dy vendimet të cilat i ka nënshkruar e që janë objekt i akuzës i ka nënshkruar 30 ditë pas konsultave dhe nënshkrimit paraprak të bashkëpunëtorëve profesional që janë arkitekt dhe inxhiner të ndërtimtarisë.
Në pyetjen e prokurorit Genc Nixha se a konsiderohet leja ndërtimore me fuqi ligjore pa nënshkrimin e drejtorit, i akuzuari Kryeziu është përgjigjur se leja konsiderohet me fuqi ligjore pasi që nënshkrimi drejtorit është formal.
Ndërsa, në pyetjen e të akuzuarit Paqarizi se a vazhdon zbatimi i planit rregullues urban, Kryeziu ka thënë se i njëjti zbatohet dhe akoma lëshohen leje ndërtimore për atë pjesë të qytetit.
Kryeziu, tutje ka thënë se ka shumë raste në të cilat nuk ka figuruar nënshkrimi i drejtorit sepse nuk është obliguar ligjërisht dhe se lejet e lëshuara pa nënshkrimin e drejtorit të urbanizmit konsiderohen të ligjshme dhe të njëjtat ekzekutohen.
Ai gjithashtu ka thënë se, me rastin e ndryshimit të udhëheqjes komunale stafi profesional i nënshkruan dhe lëshon lejet e ndërtimit.
Tutje, Kryeziu ka deklaruar se si drejtor i urbanizmit së bashku me bashkëpunëtorët e Infrakos-it e kanë bërë pastrimin e brezit të hekurudhës duke i larguar të gjithë uzurpatorët nga prona e hekurudhës.
Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Teuta Krusha se dy lejet e lëshuara për investitorët Nexhat Bytyqi dhe Avni Haliti, a janë lëshuar në pronën e Infrakos-it apo në pronë tjetër, i akuzuari Kryeziu ka thënë se të dy lejet janë lëshuar investitorëve të cilët ndërtimet i kanë kryer në prone private dhe se lejet janë lëshuar sipas planit rregullues urban.
Në pyetjen tjetër të gjykatës Krusha se a është në përputhje Plani Rregullues Urban me të cilët kishte lëshuar dy leje ndërtimore me Planin Gjeneral Urban të vitit 2004, i akuzuari ka thënë se plani rregullues urban si dhe çdo plan tjetër është në përputhje me Planin Gjeneral Urban të vitit 2004.
Në fund, ai ka thënë se kur janë procedurar lejet ndërtimore, objektet kanë pasur qasje vetëm në rrugën “Tirana” dhe nuk kanë pasur dalje në pronën e Infrakos-it.
Tutje, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të akuzuarit Visaj Islamaj.
Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Vokshi se cili sektor i ka trajtuar kërkesat për lejet ndërtimore, Islamaj ka thënë se këto kërkesa i ka trajtuar sektori i urbanizmit.
Po ashtu, ai ka sqaruar procedurën administrative të lëshimit të lejeve ndërtimore dhe ka shtuar se nuk ka pasur përgjegjësi as politike e as profesionale në trajtimin e kërkesave të lejeve ndërtimore.
Ndërsa, në pyetjen e avokatit Vokshi se cili organ i komunës i miraton Planet Rregulluese Urbane, ia akuzuari Islamaj ka thënë se sipas ligjit kjo është kompetencë e Kuvendit Komunal.
Seanca e sotme është ndërprerë, kurse seanca e radhës do të vazhdojë sipas ditarit të punës më 27 shtator 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaçit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaçi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka, më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj, më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi, më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspekcion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë edhe përkundër konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.
Ndërkaq, i akuzuari Thaçi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, thuhet se nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në nenin 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë